Tritoli ndaj banesës në Vaun e Dejës, flet pronari: Pashë një person të maskuar, s’kam konflikte me askënd!

Aktualitet

Publikuar: 23/09/2024

Tritoli ndaj banesës në Vaun e Dejës, flet pronari: Pashë një person të maskuar, s’kam konflikte me askënd!

Detaje të reja nga ngjarja e mbrëmshme (22 Shtator) në Vaun e Dejës në Shkodër, ku një shpërthim i fuqishëm tritoli u dëgjua në fshatin Bushat, me objektiv një prej banesave.

Një person i maskuar hodhi pakon e bombës te hyrja e objektit dhe u largua me vrap, teksa ende mbetet i paidentifikuar, kurse policia vendore po vijon hetimet për kapjen e tij dhe hetimin e ngjarjes në disa pista.

Pronari i banesës në fshatin Bushat, ka deklaruar se “nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk dyshon tek askush për këtë akt”.

Për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Paraprakisht hetuesit besojnë se është përdorur një sasi prej të paktën 200 gramë tritol (TNT), me motive ende të paqarta.

Filip Dodaj tha se nga kamerat e sigurisë ka parë se “tritolin në derën e shtëpisë ia ka vënë një person i maskuar, i cili ishte i vetëm, dhe më pas është larguar në këmbë”.

“Nuk di çfarë të them, nga kamerat shihet një person i maskuar, ka ardhur nga veriu dhe ka ikur nga ai drejtim prapë. Ka qenë vetëm në këmbë. Nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Nuk kam asnjë dyshim për asnjë njeri.

Unë jam punëtor, punoj për një firmë. Jetoj me babanë dhe gruan, fëmijët janë jashtë”, ka deklaruar 62-vjeçari për TCH.

Kurse fqinji i tij, Tonin Dodaj u shpreh se në momentin e shpërthimit ishte brenda banesës dhe doli menjëherë i tronditur. “Fillimisht mendova se ishte bombol gazi. Ishte shpërthim shumë i fuqishëm”, tha Dodaj.

“Ora ka qenë 20:10 kur kemi dëgjuar shpërthimin. Ishte shumë i fuqishëm. Kur dol jashtë pashë që ishte te komshiu. Thamë mos ishte ndonjë bombol gazi. Jemi komshinj, kam dalë jashtë unë dhe ai plaku me nusen.

Filipi nuk ishte në shtëpi. Nuk dëgjova asnjë lëvizje para shpërthimit. Filipi s’ka pasur probleme me njeri”, u shpreh fqinji.

Policia po heton në disa pista, si konfliktet me motive të dobëta, ato të pronësisë, hakmarrjes apo problematikave të tjera të djemve të pronarit, pasi të gjitha hipotezat janë të mundshme.

Ngjarja cilësohet si një mesazh paralajmërues ndaj pronarit të banesës.