U ekstradua nga Kolumbia, lihet në burg Admir Tutaj

Kronike

Publikuar: 21/09/2024

U ekstradua nga Kolumbia, lihet në burg Admir Tutaj

Gjykata e Posaçme la në arrest me burg pa afat 25-vjeçarin Admir Tutaj, i cili u ekstradua pak ditë më parë nga Kolumbia drejt vendit tonë.

Togat e zeza rikonfirmuan masën e sigurisë të caktuar në mungesë ndaj tij.

Në seancën gjyqësore që u zhvillua me dyer të mbyllura, Tutaj nuk foli gjatë, por gjyqtarja konfirmoi masën e kërkuar nga prokurori i çështjes.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Tutaj bënte pjesë në grupin kriminal që tentuan të trafikojnë armë zjarri drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Pjesë e grupit janë identifikuar edhe 5 persona të tjerë, të cilët siguronin pistoleta, u fshinin numrat seria dhe më pas nëpërmjet specialistëve të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës i fshihnin në produkte druri kryesisht tavolina.

Këto më pas me armët brenda dërgoheshin nga kompani transporti nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Në Shqipëri u gjet edhe një bazë e përdorur prej tyre në Tropojë ku u gjetën 25 armë, 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov.