Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se do të garojë si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në Tiranë.
Ai e zbuloi këtë detaj gjatë një konference me gazetarët, ku u pyet për deklaratën e kreut të PD, Sali Berisha, i cili tha se do të hyjnë në zgjedhje si një koalicion me parti të tjera opozitare.
“Nuk e kam ndjekur intervistën e zotit Berisha, jemi në solidaritet të plotë me betejën e tij të jashtëzakonshme kundër narkoshtetit dhe me të gjitha sakrificat që ai po bën, të cilat tregojnë qartë tmerrin e regjimit nga opozita e vërtetë, edhe nga prezenca e saj në parlament.
Partia e Lirisë ka nisur përgatitjet në të gjithë vendin dhe pa asnjë diskutim ka nisur përgatitjet edhe ne Qarkun e Tiranës, ku do të kandidoj edhe unë si presidenti i Partisë së Lirisë dhe ku do të kemi një rezultat fantastik”, tha Meta.
Ky i fundit me sa duket është trembur nga firot e partisë dhe nuk do të kandidojë në Skrapar, pasi në Tiranë numri i votave është shumë më i lartë dhe ai shpreson të kapë votat për të dalë deputet.