Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar lidhur me Institucionin Jopublik të Arsimit të Lartë Kolegji Universitar WISDOM dhe aktivitetin e tij në Shqipëri.
Përmes një deklarate për median MAS thotë se për periudhën 2023-2024, u ngrit një grup pune për të verifikuar pajtueshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit dhe bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë.
Ndërkohë nënvizohet se Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar ËISDOM.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në aktet nënligjore në fuqi, të ligjit nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë.
Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar ËISDOM.
Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar ËISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.
Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi.
MAS mbetet e përkushtuar për të garantuar cilësi dhe transparencë në të gjitha aspektet e sistemit arsimor, duke garantuar se të gjitha diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në vend janë në përputhje me standardet më të mira.
Deri tani janë 9 persona të arrestuar në akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh korrupsion e pastrim parash. Gjithsej janë 41 të dyshuar, ndërsa po hetohet edhe veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe në Foxhia. Mes të arrestuarve është edhe pronari i Kolegjit Universitar Ëisdom me qendër të Tiranë, Savino Cianci (i thirrur edhe Nino) dhe administratori Leonardo Catalano.Kryetarja e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj, ka reaguar pas deklaratave në mediat italiane të cilat shkruanin se dyshohej se ajo ishte përfshirë në një rast korrupsioni me diplomat.
Në këmbim kishte marrë një çantë të shtrenjtë të markës Louis Vuitton në vlerën e 2 mijë eurove.
Komentet Telhaj i ka bërë përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, të cilat vijnë pasi disa persona ranë në pranga në Itali, në lidhje me diplomat false që universitetet shqiptare jepnin për shtetasit në vendin fqinj.
Në postimin e saj Telhaj shkruan se nuk ka pranuar asnjë dhuratë, madje nuk ka pirë asnjë kafe nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaja apo shqiptare.
Ajo ka kërkuar gjithashtu se autoritetet zyrtare dhe mediat që kanë përmendur emrin e saj në lidhje me dosjen e universitetit Wisdom, të kërkojnë falje.
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pire kurre as edhe nje kafe e nuk ka pranuar kurre asnje dhurate nga asnje perfaqesues i universiteteve te huaj apo shqiptare. Pres qe autoritetet zyrtare dhe mediat qe kane permendur emrin tim pa asnje fakt ne lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (perfaqesuesit e te cilit nuk ia kam njohur ndonjehere) te kerkojne falje per shpifjet”, ka shkruar Telhaj.