Emri i tij figuron vetëm në një lajm të viteve më parë për rënien dhe falimentimin e City Park, por fijet e tij të biznesit të dyshimtë shtrihen nga Tirana në Qipro, Greqi, Turqi dhe vitet e fundit në Dubai, duke përfshirë edhe një agjenci doganore, skaner privat doganor, anije, jahte, makina luksoze, magazina, vila, pallate, rrjet dyqanesh etj., pra një perandori financiare me baza të dyshimta.
Bëhet fjalë për Bedri Rryta, bashkëpronarë i perandorisë së falimentuar City Park, bashkëpronar i rrjetit të furrave të bukës Dumrea, biznes i cili qarkullon miliona euro dhe operon pa bilance prej 29 vitesh si dhe pronar i disa dyqaneve në QTU kamufluar me kompaninë JJ Albania.
Bedri Rryta është pronar i MEGA DISTRIBUTION, ku përfshihen disa magazinave të tregtimit të mallrave industriale ushqimore, elektroshtëpiake, konfeksione, materiale ndërtimi etj., ndërtesa e magazina të shtrira nëpër Tiranë si në autostradën Tiranë-Durrës, City Park, bllokun e magazinave te Rruga Siri Kodra, Kashar, Toptani Shopping Center njësitë tregtare në katin III, dhoma frigoriferike te ish Frigoriferi Tiranë, magazina në Progradec, një flotë me dhjetëra kamionë, madje edhe anije. Ky biznes i themeluar në vitin 2010 nga Ylli Bali ka kaluar tre vite më pas në pronësi të Rogers Rryta, i cili është i biri i Bedri Rrytës për vetëm 10 milionë lekë.
Shitja është abuzive dhe ngrihen dyshime të forta për një skemë masive pastrimi parash. Një biznes me vlerë miliona euro shitet për vetëm 10 milionë lekë.
Nga viti 2013 deri në vitin 2023, Bedri Rryta hedh dhjetëra milionë euro përmes Rogers Rryta në këtë biznes, para që nuk u dihet burimi, por që organet ligjzbatuese si SPAK, BKH, Europol, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, shërbimet etj., duhet të tërheqin një fije që shkon nga Tirana në Qipro, vijon në Turqi ku dyshohet për një linjë të paligjshme dhe përfundon në Dubai.
Në vitin 2024, Rogers Rryta e kalon biznesin në emër të Bedri Rryta tashmë për 760 mijë euro.
Pas City Park, MEGA DISTRIBUTION është biznesi kryesor përmes të cilit kanë qarkulluar dhjetëra milion euro me burim të dyshimtë.
Nëntë vite më parë, Bedri Rryta është bërë bashkëpronar i kompanisë TIRANA Shopping CENTER, në pallatin pas ’15-katëshit’ në Tiranë, në fillim të Bulevardit Zogu I, përmes një vlere modeste dhe të rreme, duke fshehur vlerën reale të aseteve.
Bedri Rryta kontrollon edhe kompaninë me aktivitet të dyshimtë dhe që fsheh bilancet ROGERSI – OL, me nipt L64127201A, me zyra në Rrugën Siri Kodra, me objekt import-eksport i artikujve të ndryshem, pikë lavazhi, tregtim i artikujve ushqimore, tregtim i produkteve kozmetike, hapje hotelesh, baresh etj. Kjo kompani fsheh prej 23 vitesh bilancet dhe aktivitetin e saj nën hundën e Tatimeve.
E dyshimtë është edhe veprimtaria e kompanisë së ushqimoreve EMI TRANS SHPK, kompani e cila në vitin 2009 deri në vitin 2018 nisi të qarkullojë miliona euro me burim misterioz. Kapitali i kompanisë u rrit nga 100 mijë lekë në 8.6 milionë euro, duke u pakësuar më pas në 95 mijë euro.
Pronari i kësaj kompanie është Shkelqim Rryta, vëllai i Bedri Rrytës. Shkëlqim Rryta ka qenë ortak në kompaninë Hermes me Arben Ahmetajt, në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Kompania Hermes, pjesë e dosjes së SPAK për veprimtarinë korruptive rë Arben Ahmetajt, është një histori më vete korrupsioni dhe pastrimi parash, duke nisur me vjedhjen e rreth 50 milionë euro të Albtelekom me impulset telefonike 25 vite më parë.
Ndërkaq, Rogers Rrytës, i cili ka një rrjet dyqanesh veshmbathjesh me burim të dyshimtë, në skenë shfaqet Glen Rryta, nipi i Bedri Rrytës, i cili vepron kryesisht në Turqi.
Në emrin e Glen Rrytës dhe Darjo Jasharit grupi ka vendosur agjencinë doganore
Global Agency Services, përmes të cilës kanë mundësuar edhe instalimin e një skaneri privat në dogana, duke kaluar mallrat e tyre. Sipas një raporti sekret të shërbimeve inteligjente dhe një informacioni policor, kjo agjenci përdoret për trafiqe.
28-vjeçari Darjo Jashari është i biri i Ilir Jasharit, një bos i skeduar për kontrabandë cigaresh nga Librazhdi deri në Afrikën e Veriut.
Ilir Jashari është dënuar me 15 vite për trafik droge në Itali, por erdhi në Shqipëri, duke ia hedhur burgut përmes blerjes së drejtësisë. Ai i ka kaluar bizneset me bazë paratë e trafikut të drogës në emrin e të birit.
Të gjithë këtë personazhe, lidhje, trafiqe, transaksione dhe kompani janë objekt i ligjit anti-mafia, për rrjedhojë subjekte të SPAK-ut, por janë vetëm maja e ajsbergut. Vijon me aktivitetin jashtë vendit.