Marrja e Sali Berishës të pandehur nga Prokuroria e Posaçme ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare. Ish-kryeministri u paraqit sot në mesditë pranë organit të akuzës, ku ju vu në dispozicion dosja me 500 faqe kundër tij, teksa ju bë me dije se ai është nën akuzë për korrupsion pasiv, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Por ky zhvillim është pasqyruar dhe në shumë media ndërkombëtare. “Associated Press” i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në vendin tonë dhe padyshim ka shkruar dhe për këtë rast. Shkrimi më pas është marrë dhe nga shumë media të tjera ndërkombëtare. Përveç detajeve lidhur me atë që ndodhi para SPAK, agjencia e lajmeve shprehet se Berisha tani rrezikon që të mos kandidojë në zgjedhjet e vitit që vjen.
“Ish-kryeministri e ka kritikuar hetimin dhe arrestimin e tij si represion politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste të majtë në pushtet. “Asgjë nuk ka ndryshuar. Është një vazhdim i një hakmarrjeje politike”, u tha Berisha gazetarëve jashtë prokurorisë, ndërsa hodhi poshtë të gjitha pretendimet për korrupsion. Aty ishin mbledhur dhjetëra mbështetës, të cilët bërtisnin në mbështetje të Berishës dhe kritikonin qeverinë. Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga 2005-2013 dhe si president nga 1992-1997. Ai u rizgjodh deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm. Nëse Berisha dënohet ose është ende në pritje të gjykimit, ai mund të mos lejohet të kandidojë”, thekson shkrimi.
Ndërsa disa media të tjera e kanë vendosur theksin te fakti që Sali Berisha është i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion.
“Akuzat kundër tij lidhen me një ndryshim legjislacioni të bërë nga qeveria e tij në vitin 2008 për të lejuar privatizimin e objekteve sportive të shpronësuara në komunizëm. Prokurorët thanë se janë kryer një sërë ndryshimesh ligjore të ndërmarra nga qeveria e Berishës për të lehtësuar zhvillimet e biznesit në të cilat ai dhe dhëndri i tij, Malltezi, kishin një interes financiar. Prokurorët pretendojnë se të dy së bashku morën rreth 5.4 milionë euro në ryshfet. Berisha, 79 vjeç, u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021 dhe u shpall i padëshiruar “për përfshirje në akte korruptive”. Në korrik 2022, Berisha tha se ishte në listën e personave të ndaluar të hynin në MB për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion, për të cilin fajësoi kryeministrin aktual socialist Edi Rama”, shkruan “Balkan Insight”.
Shkrime të së njëjtës natyrë kanë bërë dhe shumë media të tjera.