Pullat fiskale / Tentativë për rikthimin e koncensionit korruptiv 150 milionë euro, vjedhje me blerjen e një makinerie të përdorur. Pse dosjen duhet t’a marrë SPAK-u?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 01/09/2024

Pullat fiskale / Tentativë për rikthimin e koncensionit korruptiv 150 milionë euro, vjedhje me blerjen e një makinerie të përdorur. Pse dosjen duhet t’a marrë SPAK-u?

Fundi i koncensionit 14-vjeçar korruptiv i pullave fiskale, që Sali Berisha dhe Ridvan Bode ia dhanë një kompani të lidhur me Shkëlzenin siç operuan me markimin e karburanteve, duket se po prodhon një tjetër aferë korruptive, tashmë nga qeveria socialiste.

Prapaskena është sinjalizuar se ‘ustallarët’ në krye të Ministrisë së Financave dhe Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë po përgatisin terrenin për dështimin e shërbimit të prodhimit të pullave fiskale si dhe shtypshkrimin e të gjitha llojeve të biletave, biletave të llotarisë, faturave, formularëve etj., me qëllim rikthimin e koncensionit tek e njëjta kompani ose një e ngjashme, e paracaktuar me pazar në tavolinë, bashkë me modalitetet e ndarjes së përfitimeve.

Shtypshkronja e Letrave me Vlerë ka blerë një makineri të vjetër për prodhimin e pullave fiskale me vlerë 500 mijë euro në letra, por që në vërtetë kushton më pak se 200 mijë euro.

Kjo lëvizje korruptive është bërë për dy arsye. Së pari, janë vjedhur dhe ndarë rreth 300 mijë euro para publike. Së dyti, makineria është e degraduar dhe si e tillë pritet të përdoret si shak për të rikthyer koncensionin korruptiv, i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë euro gjatë 14 viteve.

Para koncensionit, Shtypshkronja e Letrave me Vlerë prodhonte 1 mijë pulla fiskale për për cigare, birrën e etj., me kosto 5 mijë lekë të vjetra ose rreth 5 euro.

Pas dhënies së këtij shërbimi me koncencion nga Berisha-Bode te një kompani e lidhur me Shkëlzenin dhe një oligark që futet herë pas here i maskuar nga dera e pasme e SPAK-ut, kostoja për 1 mijë pulla fiskale ishte 29 euro.

Pra, koncensioni korruptiv 6-fishoi koston e shëbrimit, duke futur dorën në xhepin e taksapaguesve shqiptarë. Kostoja e panevojshme llogaritet nga ekspertët 150 milionë euro.

Rritja e kostos është vetëm një element i kësaj afere korruptive.

Ligji i miratuar nga Parlamenti për këtë komcension parashikonte se veprimtaria e prodhimit të pullave fiskale do të ushtrohej në godinën ish Topografia Ushtarake, ngjit me zyrat e Aleat. Për t’a përshtatur këtë godinë u investuan në letra qindra mijëra euro, përmes një tenderi abuziv dhe fiktiv, ndërsa në të vërtetë u hodhën vetëm disa mijë euro.

Çfarë ndodhi? Në kundërshtim flagrant me parashikimin e ligit të komcensionit, Ridvan Bode dhe kompania koncensionare e lidhur me Shkëlzenin, ndryshuan vendin e ushtrimit të veprimtarisë, duke e zhvendosur në autostradën Tiranë-Durrës, duke krijuar një kosto shtesë, të panevojshme dhe të paligjshme.

SPAK dhe BKH e kanë shumë të thjeshtë për hetimin dhe dokumetimin e kësaj afera korruptive. Mjafton një ballafaqim faktesh dhe rrethanash, çfarë prashikon ligji dhe si është zbatuar koncensioni, si u 6-fishua kostoja e shërbimit, sa është dëmi ekonomik dhe ku kanë përfunduar paratë.

Kontrata dhe pazaret

Kontrata koncensionare për pullat fiskale u nënshkrua në vitin 2010 mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SICPA me një afat 10-vjeçar, afat i cili u llogarit deri në shkurt 2023 me arsyetimin se nuk ishte përmbushur një nga detyrimet e qeverisë për të përdorur edhe pullat për produktet farmaceutike.

Konfederata e Industrisë, përmes njê deklarate, tha disa javë më parë se; “Koncesioni privat i pullave të akcizës i ka kushtuar afër 150 milionë euro kosto të paarsyeshme shtesë ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve shqiptare dhe pa asnjë ndikim të prekshëm në arritjen e qëllimit të dhënies së saj”.

Vitin që shkoi qeveria negocioi në mënyrë private me kompaninë konçensionare dhe kërkoi në kuvend miratimin e një shtese kontrate, ku koncesionari heq dorë nga pretendime të tjera ndaj qeverisë me kushtin që kontrata ekzistuese të shtyhej deri në dhjetor 2024.

Në fakt qeveria duhet të kishte ndërprerë kontratën korruptive që kur erdhi në pushtet në 2013, siç edhe u kishte premtuar shqiptarëve kur ishte në opozitë. Por, pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama jo vetëm që nuk e mbajti premtimin për anulimin e koncensionit korruptiv të Berishës, Bodes dhe Shkëlzenit, por hyri në pazare me kompaninë.

Kompania SICPA pati një kapital themeltar prej 6.8 milionë lekësh (më pak se 60 mijë euro) kur ajo u themelua në vitin 2010. Në vitin 2021, kompania pati të ardhura në nivelin 8.2 milionë euro dhe fitime në masën 1.5 milionë euro. Fitimet neto vjetore ishin 25 herë më të larta se sa kapitali themeltar.

Shqiptarët paguan pullat fiskale të SICPA-s kur blejnë produkte akcize, të tilla si cigare, birrë apo verë. Siç e theksuam më lart, kostoja e këtyre pullave është 6-fish më e lartë se sa ka qenë para hyrjes në fuqi të këtij koncesioni.

Qeveria e atëhershme pretendoi se investimi do të sillte rritje të të ardhurave buxhetore përmes lehtësimit të luftës kundër kontrabandës me mallrat e akcizës. Në fakt, importi i taksueshëm i cigareve ishte mbi 4 mijë tonë në vit para kësaj kontrate dhe ka rënë në 2500-3000 tonë në vit gjatë dekadës së fundit.