Tre javë më parë, Prapaskena publikoi fakte, të cilat konfirmonin se deputeti socialist Vullnet Sina kishte përfituar para publike, në kundërshtim me Kushtetutën, përmes kompanisë Bigalb Group, me të cilën kontrollon rrjetin e supermarketeve Big Market.
Po atë ditë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike me në krye Gaz Bardhin njoftoi se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina.
Duket se Gaz Bardhi nuk është konsultuar paraprakisht me Sali Berishën dhe të birin Shkëlzenin për nismën për t’i hequr mandatin Sinës.
Bardhi dhe PD pritet të tërhiqen gradualisht dhe pa rënë shumë në sy rrugës nga kërkesa për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të Vullnet Sinës me Kushtetutën.
Arsyeja e tërheqjes së pritshme konsiston në faktin se Vullnet Sina, përmes Big Market, financon përmes sistemit bankar Syri Tv, televizionin e Familjes Berisha, me pronar në letra Çim Peka.

Që Berisha dhe PD-ja e marrë peng prej tij të mbyllin gojën për abuzimet me paratë dhe pasuritë publike, Vullnet Sina ka paguar haraç, duke financuar Syri Tv. Një burim theksoi se Sina i jep Tv Shkëlzenit rreth 300 mijë euro në vit.
Syri Tv ka nisur të reklamojë edhe Abi Bank, të cilën Sali Berisha e ka konsideruar si një lavatriçe pastrimi parash të Edi Ramës.

Faktet tregojnë se Familja Berisha, non grata nga SHBA dhe nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, është organizata më e madhe dhe më e frikshme e gjobëvënies në Shqipëri.
Si funksionon skema e zhvatjes nga Familja Berisha?
Sali Berisha, me dhe pa fakte, përgojon, akuzon dhe denoncon biznesmenë dhe të ashtuquajtur oligarkë, të cilët kanë përfituar para dhe pasuri publike, pastrojnë para, vjedhin me tendera dhe koncensione etj.
(Natyrisht Berisha nuk përmend oligarkët, sekserët dhe mashtruesit me të cilët ka plaçkitur Shqipërinë kur ishte vetë në pushtet, si Bashkim Ulajn, Rrok Gjokën, Damir Fazlliç, Rezart Taçi, Deliorgjin, Nuel Kalaj, Ismail Mulletin etj.).
Biznesmenët, trafikantët dhe kokat e krimit i gjejnë fijet dhe anën Shkëlzenit; dikush i ofron para cash, dikush prona, dikush aksione, dikush një vilë etj.
Ata që ‘zbusin’ Shkëlzenin me prona dhe para, hiqen nga lista e Berishës.
Disa nga biznesmenët e akkuzar më herët nga Sali Berisha për përvetësim të pasurive publike dhe pastrim parash, kanë marrë guximin që të financojnë drejtëpërdrejt edhe Syri Tv, televizionin e Familjes Berisha, në këmbim të heshtjes së Berishës.
Përpos shumave cash dhe favoreve të tjera, biznesmenët paguajnë përmes sistemit bankar Syri Tv. Tarifat variojnë nga 3-4 deri në 25 mijë euro në muaj.