Vrasja e Egli Progës, reagon Rama: Akuzën e ndryshoi Prokuroria, nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit!

Aktualitet

Publikuar: 14/08/2024

Vrasja e Egli Progës, reagon Rama: Akuzën e ndryshoi Prokuroria, nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit!

Rama thotë se mirëkupton çdo person që ndihet i skandalizuar nga ndryshimi i akuzës nga ana e Prokurorisë.  

Pas Policisë së Shtetit dhe Urgejncës, kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim publik për vrasjen e Elgi Progës në Pogradec.

Kryeminsitri ka marrë në mbrojtje Policinë e Shtetit dhe Urgjencën të cilët akuzohen se tentuan të fshehin ngjarjen dhe se nuk i dhanë ndihmën e shpejtë viktimës.

Rama thotë se mirëkupton çdo person që ndihet i skandalizuar nga ndryshimi i akuzës nga ana e Prokurorisë.  Referuar dy sqarimeve publike të sotme, konkretisht të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku dhe drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, Rama thotë se të gjitha procedurat janë kryer konform ligjit.

Reagimi i Ramës:

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.

Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes. Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.