Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar po vijon në disa qytete të Shqipërisë me urdhër të SPAK-ut.
Janë lëshuar të paktën 30 urdhër-arreste. Operacioni ka nisur bazuar në dosjen e radhës pas zbërthimit të bisedave në Sky.
Mes të arrestuarve është Zv drejtori i Burgut Bradashesh, Martin Musaj pasi dyshohet për lidhje me grupet kriminale në Elbasan.
Mes personave që është firmosur urdhërarrest është dhe për Pajtime Fetahun, ish gjyqtaren e gjykatës së Elbasanit, e cila ia mbathi nga drejtësia nga frika e Vetingut.
Është një nga gjyqtaret më të lakuara si të korruptuara, e cila u filmua duke bërë pazar me vendimet në 2017, por i shpëtoi burgut falë ndërhyrjeve të politikës dhe krimit.
Fetahu u rikthye sërish në sistem në vitin 2018. Fetahu ka dhënë dorëheqjen në nëntor 2023 si gjyqtare, me pretendimin se është sëmurë.
Ajo është sëmurë sapo Komisioni i Vetingut e ka thirrur për t’u paraqitur në seancë dëgjimore për t’u njohur me dosjen e veprimtarisë së saj.
Po nga cila sëmundje vuante Pajtime Fetahu?
Prapaskena mëson se gjyqtarja vuante nga një sëmundje shumë të rrallë siç është çrregullimi i gjëndrrave të lotit.
Kur kapte ndonjë çështje që nuk kishte para, gjyqtares i lotonin sytë vazhdimisht. Kur kapte ndonjë çështje me lekë, gjyqtares i qeshte buza dhe vuante nga sindroma e lotit të tharë.
Sigurisht që Pajtime Fetahu reflektonte edhe sindromën e mosveprimit të drejtësisë. Ajo duhet të ishte në burg prej vitesh për falsifikimin dhe grabitjen e 69 hektarë tokë në vendin turistik Gjinar të Elbasanit, duke marrë dy vendime me sipërfaqe të ndryshme.
U desh angazhimi i SPAK që mbi Pajtime Fetaun të vepronte ligji.
Festë në lokalin e Suel Çelës
Një vitin 2021, Pajtime Fetahu u shfaq duke kërcyer në lokalin e Suel Çelës, një personazh me dosje, i botës së krimit, subjekt i SPAK.
Gjyqtarja Pajtime Fetahu, siç duket në një video, hedh valle në një nga strofullat më të mëdha të krimit në Elbasan, pikërisht në lokalin e Suel Çelës, të cilin gjyqtarja e ka gjykuar më parë.
Në 22 janar të vitit 2008, Pajtime Fetahu ka marrë pjesë në mbylljen e një dosje me të pandehur pikërisht Suel Çelën, i akuzuar nga prokuroria për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Duke dhunuar hapur kodin e etikës dhe në shkelje të ligjit për statusin e magjistratit, gjyqtarja Pajtime Fetahu shkon dhe kërcen në lokalin e personit që e ka gjykuar.
Ka dyshime të forta se edhe lokali ku kërcen gjyqtarja Fetahu është ngritur me paratë drogës, pasi Suel Çela ka qenë subjekt i OFL.
Çela doli edhe në rrëfimet e Nuredin Dumanit në skemat e vrasjes së kundërshtarëve me pagesë.
Pazare me vendimet
Në vitin 2017, ajo u kap në flagrancë nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.
Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Fetahu u pezullua nga detyra. Gjyqtarja, pas pezullimit arriti të lëvizte fijet e t’i shpëtonte ndëshkimit pa dalë para gjykatës. Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale ndaj saj.
Një vit më pas, në 2018, një zonjë nga fshati Gjinar në Elbasan denoncoi Pajtime Fetahun se kishte marrë dy vendime identike me sipërfaqe të ndryshme për pronën e saj.
Sipas Dafine Pecit, gjyqtarja Pajtime Fetahu ka bërë dy vendime gjykate, në të njëjtën ditë, me të njëjtin numër dhe hektarët kanë ndryshuar.
Edhe pse gllabëroi prona me vendime skandaloze dhe të falsifikuara, nuk u ndëshkua.