Një ditë pas lajmit se Leonard Luzi, organizatori i atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodoshajt u arrestua në Spanjë, autoritetet kanë nisur punën për ekstradimin e tij.
Bëhet me dije se autoritetet shqiptare i kanë nisur atyre spanjolle dosjen e SPAK dhe dokumentacionet për ekstradimin e 47-vjeçarit.
SPAK e akuzon Luzin si porositësi i atentatit të planifikuar ndaj Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në gusht 2023. GJKKO ka caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47- vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/ mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Rekrutuesi’.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi Leonard Luzi, 47 vjeç, i lindur në Vlorë”, thuhej në njoftimin e policisë.