Pas skandalit të madh që preku bluzat e bardha, ku doli në dritë se si mjekët e Spitalit Onkologjik bënin pazar për jetën e pacientëve të diagnostikuar me kancer, qytetarët janë mbledhur këtë të mërkurë para ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë dhe janë mbledhur para ministrisë duke kërkuar ndëshkimin e mjekëve dhe marrjen e masave që raste të tilla të mos përsëriten më.
Njëzëri ata i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të marrë në dorë këtë skandal dhe të hetojë për rastin. Gjithashtu, ata i kanë bërë apel SPAK-ut që “t’i futet me kokë” hetimeve për çdo repart në spitalet e vendit, të cilët mund të orientojnë qytetarët në klinika private.
“Jam këtu për ata që paguan Maldivet tuaja me ditët e tyre të fundit o të neveritshëm”, “Pacientët në varr, vrasësit në Maldive”, “Vrasje me paramendim”, “Ose jetën ose kuletën”, këto kanë qenë dhe disa nga shkrimet në pankaratat që qytetarët mbanin në duar.


