Kanë hyrë në fuqi këtë të premte ndryshimet e fundit të VKM NR.408, DATË 13.5.2015, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”.
Nga sot bashkitë do të japin leje ndërtimi vetëm për objekte deri në 5000 m3. Me këtë ndryshim lejet më të mëdha se ky volum do të përqendrohen vetëm në duart e kryeministrit Edi Rama, që tashmë do të luajë edhe rolin e miratuesit të çdo projekti arkitekturor mbi këtë volum të përcaktuar.
Sipas këtij vendimi 61 bashkitë në vend dhe kryetarët e tyre nuk do të kenë më asnjë kompetencë për leje ndërtimi të rëndësishme, dhe punën e tyre tashmë do e bëjë AZhT-ja dhe KKTU-ja. Po ashtu si pasojë e këtyre ndryshimeve, vendimi tjetër shqetesues është ndërtimi i banesave TIP në zonat rurale.
“Projekt TIP” quhen projektet e hartuara dhe miratuara nga autoriteti vendor përkatës për qëllime strehimi dhe banimi në zonat rurale, në përputhje me dokumentet e planifikimit në fuqi.”
Me këtë nen, opozita aludon se i shkelet e drejta e çdo individi që jeton në zona rurale, të ndërtojë shtëpinë siç dëshiron, duke zbatuar ligjin. Nga ana tjetër, ky vendim, nxjerr jashtë loje shumë arkitektë të vjeter e të rinj, të cilëve u mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit privatisht.
Shqetësues është edhe fakti që ndryshimet kaluan në heshtje pa oponencën e askujt, madje as të vetë pushtetit vendos e kryetarëvë të bashkive.