Vendimi për fatin e Dritan Dajtit, i dënuar për vrasjen e 4 punonjësve të Policisë së Shtetit, konsiderohet si një test dhe provë e fortë për drejtësinë e re.
Gjykata e Lartë do të vendosë më 11 qershor, ora 09:00 nëse Dritan Dajti do të dënohet me burgim të përjetshëm ose me 25 vite burg, duke i hapur rrugë lirimit.
Vendimi ishte parashikuar të merrej me 6 qershor 2024.
Por, javën e fundit, nga burgu, Dajti ka çuar një seri kërkesash në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar përjashtimin e dy gjyqtarëve të Kolegjit Penal, Sandër Simoni dhe Medi Bici.
Dajti arriti të largojë nga trupa gjykuese vetëm Medi Bicin, por me këtë lëvizje mundësoi shtyrjen e vendimarrjes.
Ndërkaq, Ambasada Amerikane në Tiranë po monitoron si kurrë më parë nga afër procesin në Gjykatën e Lartë për Dritan Dajtin. Palët po monitorohen në çdo lëvizje edhe nga SPAK, nga një skuadër hetimore e BKH dhe struktura të tjera informative.
Sipas burimeve, Ambasada Amerikane, përmes disa burimeve është e informuar në detaje për çdo lëvizje, çdo tentativë për ndërhyrje dhe çdo veprim të palëve.
Anëtarët e trupit gjykues, familjarët e tyre dhe të afërmit po mbahen nën vëzhgim. Gjithashtu, janë rritur edhe masat e sigurisë për çdo kërcënim dhe rrezik të mundshëm ndaj anëtarëve të trupit gjykues.
Dritan Dajti u dënua nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Por, në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.
Ndërkohë, vendimi i dhënë nga pesë gjyqtaret e Apelit, Fuat Vjerdha kryetar, Lindita Hoxha, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skender Damini është ankimuar nga Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda, e cila kërkon dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.