Zbërthehet sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Vocaj: Organizator Dirtan Jani Nano, 20 mijë euro kush ka informacion për vendodhjen e autorëve

Aktualitet

Publikuar: 29/05/2024

Zbërthehet sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Vocaj: Organizator Dirtan Jani Nano, 20 mijë euro kush ka informacion për vendodhjen e autorëve

Policia e Shtetit ka arritur të zbërthejë ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure, ku në zemër të Tiranës u dhunua barbarisht me leva dhe sende të forta avokati Sokol Mëngjesi.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, në një deklaratë urgjente për mediat ka bërë me dije se falë kamerave të sigurisë kanë arritur të identifikojnë autorët si dhe të zbardhin dinamikën e kësaj ngjarje.

Policia ka identifikuar katër autorët, tre prej të cilëve, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, sipas Vocajt kanë kryer sulmin, ndërsa njëri prej tyre, konkretisht Romario Tabaku, ka shërbyer për transportin e autorëve. Organizator i këtij sulmi dhe urdhërues sipas policisë është Dritan Jani Nano.

Drejtori Vocaj gjatë kësaj deklarate hodhi poshtë të gjitha pretendimet se sulmi i avokatit ka qenë politik, duke thënë se dhuna ndaj Mëngjesit është bërë për shkak të detyrës së tij.

“Autorët nuk janë të paguar por janë në lidhje krushqie me njëri tjetrin”, tha Vocaj ndër të tjera, teksa më tej sipas informacioneve të bëra me dije gjatë kohës kur ai ishte në konferencë u mësua se një prej autorëve, Dorian Alia u vetëdorëzua në Policia, ndërkohë po vijon puna për kapjen e tre autorëve të tjerë, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku.