Identifikohen 4 autorët që dhunuan me levë e sende të forta avokatin Sokol Mëngjesi.Sulmi ndodhi rreth orës 08:50 (të 29 maj 2024) në zonën e ish-bllokut në Tiranë, sapo avokati kishte dalë nga kopshti nr 31, ku kishte çuar djalin e vogël.
Policia ka shpërndarë fotot e autorëve dhe emrat e tyre: Ata janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia, dhe Dorian Alia. Drejtori i policisë së Tiranë në një konferencë për median tha se avokati u dhunua për shkak të detyrës.
Organizatori Jani Nano është ndaluar me iniciativë. Ndërkohë Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj nxorri bllof ish kryeministrin Sali Berisha duke hedhur poshtë akuzat se kemi të bëjmë me një ‘sulm politik’ por kemi të bëjmë me një dhunë për shkak të detyrës. Bëhet fjalë për një konflikt gjyqësor.




Të katërt janë në kërkim.Policia po punon për arrestimin e autorëve ndërsa kërkon ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur arrestimin e tyre duke vënë në dispozicion dhe një shumë prej 20 mijë eurosh.
Avokati që njihet dhe si një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha u dhunua në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë. Kamerat e sigurisë filmuan autorët të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.
Nga ajo që filmuan kamerat e sigurisë, autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta. Ndërkohë nga kamerat e sigurisë kanë kapur dy prej autorëve teksa vrapojnë pas sulmit.
Deri tani janë 2 persona të shoqëruar, mes tyre dhe vëllai i njërit prej të identifikuarve, tek i cili policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij. Sulmi duket se ishte planifikuar pasi autorët dinin lëvizjet që pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë kryente çdo mëngjes dhe e kanë pritur që ai ta linte fëmijën në kopsht.
Mësohet se Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime të tjera në trup. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, avokati është futur në intubim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës. Ai po merr ndihmë nga aparaturat mjekësore për oksigjen
Ende nuk është marrë në pyetje dhe zyrtarisht nuk dihet motivi i sulmit.
Në spitalin e Traumës e vizitoi Argita Malltezi vajza e ish-kryeministrit Berisha dhe kreu i policisë së Tiranës Tonin Vocaj.
Mëngjesi prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale të këtij fakulteti. Ndërkohë ushtron dhe profesionin e avokatit duke mbrojtur ish kryeministrin Sali Berisha në dosjen e aferës së privatizimit të sport klub Partizanit për të cilën po hetohet për akuzën e korrupsionit. Gjithashtu është dhe avokat i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në dosjen e inceneratorit të Tiranës.