KLP miraton me 9 vota pro mbarimin e mandatit të Alfred Ballës.
Vettingu e largoi nga drejtësia për 15 vite, KLP vendos përfundimin e mandatit për Alfred Ballën. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla është zhvilluar me debate të ashpra. Çështja nëse Balla duhet të vijojë detyrën si kryetar apo jo, ndau në dy ‘kampe’ anëtarët.



Vetë Balla i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje, me një shkresë drejtuar KLP sfidon vendimin e KPA për përjashtimin e tij me 15 vite nga drejtësia, duke thënë se nuk është i menjëhershëm dhe se ai është zgjedhur nga Kuvendi si përfaqësues i shoqërisë civile.
“Unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare…Nga interpretimi i nenit 149/b të Kushtetutës nuk del e qartë se, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?”, shkruan Balla.
Për shkak të debateve me tone të larta, mbledhja që nisi në 11:00 u shty për rreth pas 3 orësh, ndërsa një komision prej 3 anëtarësh do të përgatisë një relacion mbi mandatin e Ballës për t’ia dorëzuar më pas KLP-së për votim. KLP ka pranuar kërkesën e Alfred Ballës për ta dëgjuar.
Anëtarja Nurihan Seiti doli hapur krahas Alfred Ballës, duke thënë se ai duhet të vijojë detyrën, pasi vendimi i KPA futet në fuqi vetëm pas publikimit në fletoren zyrtare. Nga ana tjetër, anëtari Sokol Stojani e cilësoi si zëdhënëse të Ballës, ndërsa tha se vendimi duhet ekzekutuar menjëherë siç e parashikon Kushtetuta dhe se Balla nuk mund ta vazhdojë më funksionin. Seiti është mamaja e Rei Matës, i cili vrau me grusht biznesmenin e ndërtimit në Vlorë, Armando Meshau, por edhe pas kësaj ngjarje Seiti nuk dha dorëheqjen.
“Vendimi futet në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare. Deri në këto momente Balla është dhe duhet të jetë në detyrë”, tha Seiti.
“Që nga data 21 nuk mund të ushtronte funksionin, pavarësisht tentativave të tij. Çdo pretendim që ka për vendimin e KPA, ka vetëm një mundësi sipas Kushtetutës, Gjykata e Strasburgut”, tha Sokol Stojani.
Anëtarja Arta Mandro kërkoi kohën që të përpilojnë relacionin dhe të japin mendimin se si e afekton ky vendim i KPA fatin dhe mandatin e Ballës. Mandro tha se reforma në drejtësi duhet të jetë prioritet për secilin prej anëtarëve.
“S’ka vend për asnjë dyshim për asnjë nga anëtarët, të gjithë jemi pro reformës në drejtësi”, tha Mandro.
Balla pretendon se po zbaton ligjin duke qëndruar në detyrë siç e parashikon Kushtetuta, deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, pasi mandati i ka përfunduar më datë 18.12.2023.
Më 21 maj, KPA vendosi përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Sipas vendimit të KPA, Bal;la s’ka të drejtë për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, çka u konsiderua i drejtë nga Kolegji.