E emëroi Meta / Gruaja e Andi Bejtas votoi pro lirimit nga burgu të Fredi Belerit në Kushtetuese

Kryesore

Publikuar: 16/05/2024

E emëroi Meta / Gruaja e Andi Bejtas votoi pro lirimit nga burgu të Fredi Belerit në Kushtetuese

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Sonila Bejtja, bashkëshortja e Andi Bejtjas, një analist pranë LSI-së dhe themelues i një televizioni të Familjes Berisha, ka votuar pro lirimit nga burgu të Fredi Belerit.

Pro lirimit të Fredi Belerit ka votuar edhe Marsida Xhaferralli, e njohur si bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt.

Sipas Xhaferrallit e Bejtjas, shtatë kolegët e tyre në shumicë kanë mbajtur në vëmendje vetëm vlerësimin e kritereve kushtetuese që lidheshin me lirinë personale të Belerit dhe jo të drejtës së tij kushtetuese për t’u zgjedhur.

“Pa vënë në dyshim interesin publik për mbarëvajtjen e procedimeve penale, sidomos të atyre që lidhen me çështje të korrupsionit zgjedhor, ritheksojmë se në çështjen konkrete janë vënë në diskutim jo vetëm liria personale e kërkuesit, por edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe cilësia e legjitimitetit demokratik në Bashkinë Himarë”.

Përkundër argumentave të shumicës, gjykatat e zakonshme sipas mendimit të pakicës në këtë vendim kushtetues, të siguruar nga A2 CNN, nuk kanë analizuar mjaftueshëm mbi proporcionalitetin e caktimit të masës së “arrestit në burg” ndaj Alfred Belerit.

“Caktimi i masës së sigurimit të arrestit në burg dy ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet vendore dhe vazhdimi i kësaj mase, që e ka penguar atë në fakt të marrë detyrën e kryetarit të bashkisë, si pasojë e prezumimit të korrupsionit në zgjedhje, duhej vlerësuar arbitrare për shkak të mungesës së garancive të mjaftueshme procedurale. Për rrjedhojë, vlerësojmë se pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë personale dhe së drejtës për t’u zgjedhur, në raport me parimin e proporcionalitetit, të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit gjyqësor është i bazuar”.

Në Kushtetuese, Beleri, i dënuar me 2 vjet burg për “korrupsion në zgjedhje” nga Gjykata e Posaçme, kërkoi shfuqizimin e masës “arrest në burg”, caktuar ndaj tij nga tre shkallët e gjyqësorit. Më 27 maj, ora10:00, Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar seancën e parë të shqyrtimit të ankimit të bërë prej tij kundër këtij vendimi.

Ndërkaq, Sonila Bejtja është e vetmja anëyare e Kushtetueses, e cila është pozicionuar kundër dy opinioneve të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të anuluara nga Ilir Meta me një dekret të paprecedentë, i hedhur poshtë nga Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese, faktori ndërkombëtar dhe madje nga vetë Lulzim Basha.

Qëndrimi ndryshe i Sonila Bejtjas në krah të Metës nuk ishte një surprizë, pasi zonja Bejtja u emëruar pikërisht nga Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë të dyshimtë, por me qëllimin e qartë për të siguruar në tjetër votë në Këtë Gjykatë. Dhe Sonila Bejtja nuk po e zhgënjen Ilir Metën, i cili është pozicionuar në krah të Fredi Belerit.