Reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt në Fier, disa njësi nga drejtoria e këtij qarku dhe Forcat Speciale RENEA nga Tirana, kanë vënë në shtetrrethim fshatin Baltëz. Efektivi Novrus Cenalia është vrarë me armë zjarri nga një shtetas tjetër, i identifikuar si Asllan Mernica.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 në hyrje të fshatit dhe fatkeqësisht nga plumbat polici 28 vjeçar ka mbetur i vdekur në vend. Postblloqe janë ngritur dhe në hyrje/daljet e qyteteve fqinje me Fierin.
Sipas informacioneve paraprake, Novrus Cenalia dhe Asllan (Azgan) Mernica janë konfliktuar për një vend parkimi, ndërsa burime të tjera theksojnë se babai i viktimës është gjithashtu efektiv i Policisë së Fierit dhe dyshohet se dy vite më parë ka vrarë një shtetas.

Një grup hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të saj. Ndërkohë, Forcat Speciale RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt janë planizuar në hyrje/daljet e Fierit, për të lokalizuar dhe ndaluar autorin.