Pas tre ditësh kërkime në lumin Buna në Shkodër është gjetur edhe trupi i pajetë i nënës, Alma Arrazi, e cila dyshohet se i dha fund jetës së bashku me tre fëmijët e saj.
Shkak i kësaj ngjarje të rëndë tragjike, mësohet se ka qenë dhuna që bashkëshorti, Erdgys Arrizi ka ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve.
Trupi i nënës që është viktima e katër u gjet në fshatin Pentar të njësisë Dajç.
Gjetja e trupit të pajetë u bë nga polumbarët e forcave RENEA.
Po këtë të martë, u gjet edhe trupi i djalit të mitur, 3 vjeç.Tashmë me gjetjen e nënës përfundon operacioni i gjetjes së katër kufomave të familjes Arrazi, nënës dhe tre fëmijëve.
Më herët janë gjetur edhe trupat e dy vajzave dhe djalit që dyshohet se u mbytën bashkë me nënën e tyre Alma Arrazi më datë 4 maj.
39-vjeçarja dyshohet se hodhi fëmijët dhe më pas veten në lumë pas problemeve me bashkëshortin dhe depresionin.
Policia ka arrestuar bashkëshortin Erdgys Arrazi pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Çifti kishte probleme prej kohësh, ndërkohë që familjarët e Almës akuzojnë dhëndrin se kishte dhe një lidhje paralele.
Alma Arrazi u zhduk bashkë me tre fëmijët e saj me datë 4 maj pas një kafeje me kunatën duke i thënë se po shkonte te vëllai i saj.