Një shumë prej 50 milionë lekësh të vjetra ose 5 milionë lekë të reja, janë gjetur nga grupi hetimor në shtëpinë e dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, të cilët u gjetën të vdekur pak ditë më parë. Për ngjarjen, u arrit të identifikohej si autor i dyshuar shtetasi Thoma Mastora.
69 vjeçari me origjinë nga Fieri por i martuar në fshatin Bodrishtë të Dropullit ka qenë në shtëpinë e të moshuarve para vdekjes së tyre, kjo e provuar dhe nga gjurmët biologjike që u gjetën në një gotë rakie dhe në një filxhan kafeje.
Kanë qenë ekzaminimet daktiloskopike dhe biologjike ato që kanë zbuluar veprimet e autorit. Thoma Mastora ditën e ngjarjes kishte qenë në shtëpinë e të moshuarve dhe ka pirë një gotë raki e një filxhan kafe. Në këto enë janë gjetur dhe gjurmët e tij.
“Nuk i kam vrarë unë, nuk jam unë autor i krimit, kërkojeni gjetkë kriminelin”, ka deklaruar Thoma Mastora në Policinë e Gjirokastrës, duke mohuar të jetë ai vrasësi.
Ai ka treguar se nuk ka lidhje me krimin, duke pretenduar se kishte respekt të veçantë për Kosta dhe Kleoniqi Ilian. Sipas Mastorës, ai në dhjetëra raste i ka shërbyer kundrejt pagesës por edhe pa pagesë dy të moshuarve, duke i çarë drutë e shtëpisë, krasitur degët e rrushit, punuar oborrin e shumë punë të tjera që dy të moshuarit nuk ishin në gjendje ti bënin vetë.
Megjithatë, hetuesit që kanë gjetur shumën e parave në shtëpinë e Kosta dhe Kleoniqi Ilia besojnë se autori nuk i ka gjetur dot ato para, por ka marrë të tjera, me të cilat dyshohet se ka shlyer borxhet që u kishte personave të tjera.
Shuma prej 50 milionë lekë të vjetra, sipas grupit hetimor ishte mbledhur nga pensioni që dy të moshuarit merrnin çdo muaj nga shteti shqiptar dhe shteti grek.
Aktualisht kjo shumë parash është mbyllur në llogarinë e prokurorisë, pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
Thoma Mastora dyshohet se ka marrë një sasi të madhe parash nga shtëpia e dy të moshuarve dhe është larguar, por nuk ka dalë nga dera kryesore. Ai ka dalë nga një pjesë e shtëpisë e rrethuar me rrjetë, në oborrin e një komshiu dhe në rrugë.
Ndërkohë informacionet operative të mbledhura nga Policia e Gjirokastrës, flasin se gjatë këtyre ditëve Thoma Mastora ka shlyer disa borxhe financiare që ka pasur tek persona të tjerë të zonës, çka ngre dyshime të forta se krimi i rëndë mund të jetë kryer prej tij.
Ndërkohë, përsa i përket njollave të gjakut që grupi hetimor gjeti në rrobat dhe shtëpinë e Thoma Mastorës, rezultoi se ato ishin të një kafshe që 69 vjeçari kishte therur më parë.