Tre persona janë shoqëruar në polici në lidhje me ngjarjen e sotme kriminale, ku janë gjetur të pajetë çifti i të moshuarve Ilia në fshatin Bodrishtë të Dropullit. Behët fjalë për dy banorë të këtij fshati dhe një bari shtegtar i të imtave, ndërsa raportohet se shoqërimi i tyre është bërë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë.
Çifti i të moshuarve që u gjetën të vdekur mëngjesin e sotëm janë Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe. Dyshohet se të moshuarit mund të jenë dhunuar për vdekje, ndërkohë që shkaqet ende nuk dihen.
Ka qenë një telefonate nga Greqia te një nga komshinjtë e çiftit që ka zbuluar ngjarjen tragjike. Ka qenë e motra e Kleoniqit që u bë merak për të pasi dje në darke nuk kishin folur sikur bëningjithmonë. Kjo ngjalli dyshime te ajo se diçka do kishte ndodhur.
Pas telefonatës fqinja ka shkuar tek shtepia e çiftit në orën 6 të mëngjesit ku ka gjetur në fillim të pajetë Kostën të shtrirë në pragun e shtëpisë pranë tryezës me një shenjë goditje në pjesën anësore të kokës. Me pas në brendësi të dhomës gjeti dhe Kleoniqin e pajetë me shenja dhune. Fqinjët thonë se mes çiftit ka pasur debate verbale por jo më shumë. Ata jetonin të vetëm pa fëmijë.
Ndërkohë edhe sipas policisë dhuna ndaj të moshuarve, e cila u ka marrë dhe jetën, është shkaktuar nga mjete të forta rrethanore. Policia e Gjirokastrës përveç pistën e krimit në familje po heton si pistë kryesore vrasjen nga një ose disa persona të tjerë.