Real Madrid mposht Manchester City, në gjysmëfinale kundër Bayern

Aktualitet

Publikuar: 17/04/2024

Real Madrid mposht Manchester City, në gjysmëfinale kundër Bayern

Reali i Madridit është kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, pasi ka mundur Mançester Sitin për herë të parë në “Etihad Stadium” në një mbrëmje emocionuese, ku vendimtare u bënë gjuajtjet e “ruletës ruse” të penalltive.

Takimi i luajturur në Angli ishte mjaft emocionues, teksa nuk mjaftuan 90 minuta, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1 (2-2 ndeshja e parë).

“Los Blancos” zhbllokuan llogaritë në minutën e 12, me anë të sulmuesit brazilian, Rodrigo. Me avantazhin në “xhep”, madrilenët preferuan të qëndronin në prapavijë, duke u zhvendosur kështu në gjysmëfushën e vet.

Kampionët e Europës rritën ndjeshëm presionin dhe iu afruan disa herë golit. Haland dhe Foden vendosën në vështirësi portierin Lunin, por pa mundur dot të barazonin shifrat.

Edhe në fillimin e pjesës së dytë u luajt e njëjta “muzikë”, me ekipin e Guardiolës që s’kishte asgjë për të humbur. “Drithërima” në stadium në minutën e 46.

Një gjuajtje e Grilish u ndal nga “gardiani” i mysafirëve. Barazimi i Mançester Sitit erdhi nga De Brojne, i cili përfitoi pasi topi nuk u largua si duhej nga Rudiger.

As koha shtesë nuk prodhoi gol, pavarësisht rasteve. Nga pika e bardhë më të saktë u treguan madrilenët e drejtuar nga Karlo Ançeloti, që festuan në fund.Në gjysmëfinale, Reali i Madridit do të ndeshet me Bajernin e Mynihut, ndërsa çifti tjetër është ai mes PSG dhe Borusia Dortmund.

Bayern Munchen është kualifikuar për në gjysmëfinalen e Champions League, pasi eliminoi Arsenal.

Gjermanët e drejtuar nga Tomas Tuchel fituan minimalisht 1-0 në Allianz Arena (Munich), ndërsa takimi i parë kishte përfunduar në paqe 2-2. Takimi i sotëm u vulos nga Kimmich.