SPAK po heton që nga muaj gushti i vitit 2022 Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Bëhet fjalë për tre procedime penale të regjistruara pas kallëzimeve të bëra nga ish deputeti Halit Valteri, avokati Idajet Beqiri dhe gazetari Adriatik Doçi për lobim në SHBA me para të padeklaruara dhe të pajustifikuara, shpenzime të fshehura për shërbime estetike dhe skema korrupsioni. Ilir Meta po hetohet edhe për rolin e tij në aferën CEZ-DIA.

Hetimet po ndiqen nga prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja. Përflitet se në hetim është angazhuar edhe kreu i SPAK-ut Altin Dumani, i cili është në një ofensivë sulmesh nga Sali Berisha dhe Ilir, i pari non grata nga SHBA dhe nën masë arresti shtëpiak për korrupsion, ndërsa Meta kandidat për nongrata.
(Angazhimi i Dumanit nuk është i konfirmuar zyrtarisht. Por, ashtu si komandantët e ushtrisë kur marrin pjesë vetë në betejë, përfshirja e Altin Dumanit në dosje të tilla hetimore të nxehta dhe historike, ka treguar se rrit standardin e hetimit në nivel FBI-je si dhe ul presionin e faktorëve të jashtëm tek grupi hetimor, duke shpërndarë përgjegjësinë dhe çliruar hetuesit nga trysnia e dinozaurve të korrupsionit të pluralizmit në Shqipëri).
Ndaj çiftit Meta-Kryemadhi, i cili ditët e fundit po demostron forcën nëpër palestra, duke dhënë mesazhe sfiduese, ka nisur edhe një hetim pasuror.

Burime të rezervuara pohojnë se është një nga hetimet më komplekse dhe sfiduese, por në të njëjtën kohë një dosje që do të shënjojë historinë e SPAK-ut.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi perceptohen si çifti më i korruptuar në Shqipëri.
Zyrtarisht kanë një pasuri të deklaruar pranë ILDKPKI me vlerë disa milionë euro, përfshirë vila në Gjirin e Lalzit, një vilë te Kodra e Diellit dhe pallati në Astir.
Pasuria e deklaruar nga Meta-Kryemadhi dukshëm nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme (që përfshijnë rrogat, disa hua dhe kredi modeste) në raport me shpenzimet; udhëtime, festa, ditëlindje, dreka/darka, arredime, aksesorë, veshje të shtrenjta, shkollimi i fëmijëve në Angli etj.
Pasuria e dyshuar që Ilir Meta fsheh besohet se ka një vlerë disa miliardë euro, ku përfshihen resorte, hotele, dyqane, aksione të kamufluara në banka dhe kompani të mëdha, aksione në qendra tregtare, gurore, kompleke sportive, televizione, agjenci ajërore, kompani farmaceutike, kompani ndërtimi, ndërtime jashtë vendit, investime në bursa, sasi e madhe kesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Por, një organ hetimor nuk mund të bazohet në dyshime, perceptime dhe besime. Një organ hetimor konsideron indicie, dyshime të arsyeshme dhe të bazuara si dhe prova.
Sot po paraqesim disa indicie që krijojnë dyshime të forta se Ilir Meta mund të jetë pronar indirekt i Fondit Besa.
Fondi Besa dhe Ilir Meta
Fondi Besa, sot me kapital rreth 40 milionë euro, është themeluar (sipas letrave) në korrik të vitit 2008, një vit para se Ilir Meta të bëhej pjesë e qeverisë Berisha, por Fondi ka vepruar në ilegalitet më herët.
Fondi aplikoi për licencë që në vitin 2007.
Fondi Besa sh.a. u pajis me licencën nr. 10, datë 26.12.2008 si subjekt jobankë për ushtrimin e veprimtarive financiare të parashikuara nga ligji për bankat.
Nga 2007 deri në dhjetor 2008, Fondi Besa ka operuar pa licencë, duke dhënë 11 mijë kredi, si dhe ka hapur 41 degë në të gjithë vendin.
Brenda dy muajve, gusht-shtator 2008, kapitali u rrit pa burim nga 2 milionë lekë në 1 milionë euro. Më pas kapitali u rrit në 4 milionë euro.
Nuk janë indicie, por fakte që ngrenë dyshime serioze për pastrim parash.
Fondi Besa ka vepruar në mënyrë të paligjshme nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë, asokohe me në krye Ardian Fullanin, lidhje e ngushtë e Ilir Metës.
Arjana Fullani, bashkëshortja e Ardian Fullanit, ishte një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë që votoi për pafajësinë e Ilir Metës në janar 2012 për videon Meta-Prifti.
Në letra, pronari kryesor i Fondit Besa është Bajram Muçaj, i cili mban edhe funksionin e drejtorit ekzekutiv.

Si person të besuar ka anëtarin e këshillit bashkëfshatarin e tij nga Skrapari, Rektori i Universitetit Bujqësor-Kamëz, Bari Musabelliu, nën hetim për vjedhje fondesh dhe i veshur me florinj.
Bajram Muçaj nuk është një lidhje e zakonshme e Ilir Metës. Bajram Muçaj, nga Leshnja e Skraparit, është një dorë e besuar e Ilir Metës.

Nga një personazh pa historik biznesi, pa kapital dhe pa asnjë bazë financiare, por vetëm si një nga xhepat e Ilir Metës, Bajram Muçaj nisi të krikonte një perandori financiare pa baza ligjshmërie.
Herë pas here Fondi Besa është denoncuar për skema mashtrimi dhe zhvatje me vlerë dhjetëra milionë euro të mijëra qytetarëve, të kapur me rrjetën e mikrokredisë.
Por, duket qartë se qëllimi kryesor i Fondit është qarkullimi dhe pastrimi i parave pa burim.
A janë paratë e Ilir Metës në Fodin Besa?
Në një nga kallëzimet depozituar në SPAK referohen disa transaksione të dyshimta me vlerë miliona euro nga offshoret dhe Andorra drejt llogarive të Fondit Besa.
Disa transaksione nga bankat në Andorra drejt llogarive të Fondit Besa përkojnë me kohën kur Monika Kryemadhi ka kaluar kufirin tokësor në këmbë dhe me çanta të mëdha nëpër duar.
Pra, 2-3 ditë pasi Kryemadhi kalonte kufirin shqiptar drejt Greqisë në këmbë dhe me çanta, në llogaritë e Fondit Besa kalonin shuma të mëdha parash.
Pjesë e stafit të Fondit Besa janë kryesisht anëtarë të LSI dhe ish drejtorë të LSI në piramidën e administratës publike 2009-2017.
Rreth 70 % të kredimarrësve të Fondi Besa janë anëtarë të LSI dhe të rekomanduar verbalisht nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta.
Në vitin 2019, Prokuroria dokumentoi një nga skandalet e Fondit Besa, me marrjen e parave me fajde. Personazhe pranë LSI dhe kandidatë të kësaj partia, dorëzonin te Fondi Besa 50 deri në 100 mijë ero dhe pas disa ditësh merrnin pas 70-100 mijë euro.
Burime brenda Fondit Besa thonë se Bajram Muçaj është thjeshtë një menaxher i caktuar nga Ilir Meta. Burimet flasin edhe për urdhëra verbalë të Monika Kryemadhit për transaksione, punësime, ulje dhe ngritje në detyrë, aprovim kredish, fshirje kredish etj.
Bajram Muçaj shfaqet edhe si sponsor i fushatave elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dyqanit familjar të Ilir Metës, tashmë me tabelën Partia e Lirisë.
Nga ana tjetër, vëllai i tij, Lemi Muçaj, ishte kandidat i LSI pët deputet në zgjedhjet parlamenate të vitit 2021.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekustruar një telefon të Monika Kryemadhit, të cilin e kishte fshehur në shtëpinë e nënës së saj.
Kryemadhi zhvilloi një betejë epike ligjore deri në Gjykatë të Lartë për kthimin e këtij telefoni dhe zhvlerësimit si prova të të gjitha të dhënave të rikuperuar nga ekspertët e SPAK-ut në këtë telefon.
A ka gjetur SPAK të dhëna që tregojnë se Ilir Meta është pronar indirekt i Fondit Besa?