E masakroi Berisha në ’97-ën, ndërron jetë gazetari Zamir Dule

Aktualitet

Publikuar: 05/04/2024

E masakroi Berisha në ’97-ën, ndërron jetë gazetari Zamir Dule

Zamir Dule, gazetar i njohur i kronikës së zezë është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga familjarët, pasi gazetari iu nënshtrua së fundmi një ndërhyrje kirurgjikale në zemër.

Dule përcillet për në banesën e tij të fundit në fshatin Miras të Korçës.

Zamir Dule ka punuar si korrespodent pranë gazetës Koha Jonë për qarkun e Korçë gjatë viteve 1993-1997.

Më vonë ai u transferua në Tiranë, ku mbulonte sektorin e kronikës së zezë për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Por gjatë viteve 1997 ai u tërhoq nga profesioni i tij, pasi natën e 2 marsit duke u gdhirë 3 mars 1997, gazetari Zamir Dule para vënies së zjarrit të redaksisë së KOHA JONE nga SHIK-u, Policia dhe Garda e Republikës, u mor me forcë nga zyrat e gazetës dhe u rrah e torturoi në qelitë e Komisariatit Nr.3 të Policisë në Tiranë.

Që prej asaj nate makabre për median e lirë, gazetari Zamir Dule u mënjanua nga gazetaria, pas pasojave ç’njerëzore ndaj tij prej shikasve të SHIK-ut.

Prej kohësh ai vuante nga sëmundja në zemër dhe familjarët e tij shpesh kishin bërë thirrje për ndihmë.

Për pasojë, Dule u zhvendos në vendin e tij të lindjes, kur për vite të tëra jetoi me vëllain e tij, i cili u kujdes për gjendjen shëndetësore të gazetarit, pasi shëndeti i tij përkeqësohej vazhdimisht.