Elbasan / Kompania Inerti e Florjan Muhas vodhi paratë e varrezave, bashkia e pagoi për punime fiktive

Investigim

Publikuar: 31/03/2024

Elbasan / Kompania Inerti e Florjan Muhas vodhi paratë e varrezave, bashkia e pagoi për punime fiktive

Në 29 dhjetor të vitit 2021, Irland Sina, në atë kohë nënkryetar i Bashkisë Elbasan, me autorizim të kryetarit Gledian Llatja, shpalli fituese kompaninë Inerti shpk të tenderit me objekt ‘Rikonstruksion dhe ndërhyrje në linjën KUZ dhe ndërtim i sheshit të parkimit të Varrezave Publike’.

Në garë morën pjesë 16 kompani të njohura dhe me përvojë, si Shpresa – AL, Nika, ASI-2A CO, ED Konstruksion, Bajrami N, Curri, Shëndelli, Fled, Avduli, Be – IS, Sireta 2F etj.

Në këtë rast, kompania Inerti paraqiti ofertën më të ulët, rreth 270 mijë euro, në raport me fondin limit 460 mijë euro, duke fituar kështu tenderin.

Në 23 mars 2022, Bashkia Elbasan firmos kontratën me kompaninë e ndërtimit Inerti shpk për realizimin e punimeve brenda 5 muajsh.

Gjatë zbatimit të kontratës, kompania Inerti shpk përvetëson paratë publike, përmes certifikimit të punimeve fiktive.

Vjedhja është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport auditimi të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan për vitin 2022.

Shuma e vjedhur është një bakshish në raport me abuzimet e mëdha në Bashkinë Elbasan, por tregon se sa e babëzitur, e verbuar dhe e pamëshirshme është kjo çetë hajdutësh sa që përlajnë edhe paratë publike për varrezat.

Kompania Inerti shpk është në pronësi të Halil dhe Florjan Muha. Ky i fundit është administrator.

Kompani ka fituar gjatë viteve të fundit, e vetme dhe në bashkëpunim, mbi 40 mijë euro tendera publikë, duke arritur kulmin me rindërtimin.

Kur përlau paratë për parkingun te varrezat, vështirë të besohet se e ka mbajtur dorën gjatë zbatimit të kontratave të tjera publike.