Babale 2 / Fërkime mes Belind Këlliçit dhe Gaz Bardhit, akuza të ndërsjella për sabotazh dhe një histori që po ‘shpërthen’  muret e SHQUP-it

Kryesore

Publikuar: 30/03/2024

Babale 2 / Fërkime mes Belind Këlliçit dhe Gaz Bardhit, akuza të ndërsjella për sabotazh dhe një histori që po ‘shpërthen’  muret e SHQUP-it

Denoncimi i paralajmëruar nga kreu i grupit të PD (krahu i Rithemelimit), Gazment Bardhi, për përfshirjen e pretenduar të Olsi Ramës në dosjen Xibraka, si njeriun që sipas tij përputhej me personin enigmatik “i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, rezultoi një ‘Babale 2’.

Gazetarët, që e dinin të vërtetën, nuk kishin pritshmëri, ndërsa publikut i mjaftoi më pak se një minut për t’i ardhur në mendje Babale 1, Joe Walsh, Dan Hutra etj.

Të moshës 45 vjeç dhe me flokë të shkurtra, në vitet 2014-2015, kanë qenë me mijëra persona, sot 54-55 vjeç.

Element shtesë për zgjidhjen e lojës së fjalëkryqit, Bardhi theksoi një targë makine AA653DM, që sipas tij ishte përdorur nga “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra” si dhe nga grupi i trafikantëve.

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës“, tha Bardhi, ndërsa i bëri thirrje Altin Dumanit të vepronte.

Targa AA653DM i përket Ornela Bregut, motrës së Majlinda Bregut, ish ministre e Integrimit në qeverinë Berisha, fakt që e ndërlikoi fjalëkryqin e Bardhit, i cili me denoncime të tilla ‘serioze’ duket se po përpiqet të kompensojë denoncimet ndaj Berishës, Shkëlzenit, Flamur Nokës etj.

Me shumë gjasa, kjo histori e 10 viteve më parë, e risjellë nga Bardhi në formën e ‘Babale 2’, mund të prodhojë një histori të re, me Gaz Bardhin të pandehur nga SPAK, pasi çdo vepër penale që dyshohet se ka kryer një deputet, qoftë edhe shpifja, është në kompetencë të SPAK-ut (neni 75 / a, Kodi i Procedurës Penale).

Rithemelimi, i etur për kauza, kishte pritshmëri të mëdha nga denoncimi i paralajmëruar i Gazment Bardhit. Ishin dhënë udhëzime që ‘dosja’ e Bardhit për të goditur kryeministrin Rama të merrte vëmendje maksimale mediatike dhe të pompohej me elementë ‘ekskluzivë’.

Por, ndodhi pikërisht ajo që Familja Berisha dhe rrethi i saj i druhej më shumë (një ngjarje që mund të eklipsonte Babale 2).

Disa orë pas konferencës së Bardhit, si një re zezë, nisi të përhapej lajmi për arrestimin e disa ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të cilëve Belind Këlliçi u ka faturuar humbjen e tij përballë Erion Veliajt, vitin e kaluar, me 60 mijë vota, duke shënuar disfatën më të thellë në historinë e PD.

Këta individë, pa asnjë përjashtim, janë personat të cilët përmes terrorit, shantazhit, presionit të hapur, blerjes së votave me paratë e korrupsionit bashkiak, kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të Tiranës“, tha dje ndër të tjera Këlliçi.

Familja Berisha nuk e fshehu nervozizmin pas lajmit për arrestimet, që përmbysi konferencën e Bardhit. Përmes medias së saj Syri.net theksoi se Edi Rama kishte urdhëruar SPAK-un që të bënte arrestimet për të sfumuar denoncimin e Bardhit (Babale 2).

Duket si një skenar, por përsa kohë drejtësia vepron me regji, ekzistojnë të gjitha mundësitë që për të sfumuar denoncimin për Olsi Ramën, duhej të realizohej një goditje, dhe në këtë rast u zgjodhën drejtorët e Veliajt. Jo se këta nuk e meritonin të arrestoheshin, pasi pritej prej kohësh një goditje e tillë, por duket se u zgjodh një moment deçiziv, për të sfumuar sa të mundet emri i Olsi Ramës...”, shkroi Syri.

Pra, sipas medias së Familjes Berisha, Rama komandon SPAK-un jo vetëm për të goditur opozitën dhe izoluar kreun e saj në ballkon, por edhe për të mbrojtur veten, duke arrestuar të vetët! Një logjikë kjo ‘barngrënëse’, por me një qëllim të qartë: Për të zbehur me çdo kusht besueshmërinë e SPAK-ut.

Teksa media e Familjes Berisha turfullonte ndaj SPAK-ut se po ‘shpëtonte’ Olsi Ramën, duke errësuar denoncimin e Bardhit, përmes arrestimit të ish drejtorëve të Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi nisi të ‘rrahë gjoksin’ se arrestimet nga SPAK ishin meritë e tij.

Pretendimi i Këlliçit, në fakt është një mini Babale, pasi hetimet për të ashtuquaturën ‘5 D’ nuk kanë nisur nga kallëzimi i Belos, por më parë, kryesisht.

Vetë SPAK, që në krye të njoftimit, sqaron se hetimet për ‘5 D’ kanë nisur kryesisht, para se Belo të bënte kallëzimin.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023…“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ditën e djeshme, u shënua fërkimi parë publik mes Belos dhe Bardhit.

Nga njëra anë Belo ‘rrihte gjoksin’ se po rrëzonte bashkë me SPAK-un ata që i kishin shkaktuar humbjen, nga ana tjetër Bardhi vijoi t’i frynte Babale 2, duke avancuar më tej.

Bardhit tha se ‘SPAK ka për detyrë të hetojë edhe rolin e dy prokurorëve të asaj çështje z. Olsian Çela dhe z. Edvin Kondili‘, që sipas tij kanë mbuluar dhe shpëtuar “personin e moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”.

Në mesditë, mes Belos dhe Bardhit ka pasur një debat në SHQUP. Belo ka pretenduar se Bardhi, me histori alla Babale, po saboton punën serioze të grupit të ekspertëve në SHQUP, në denoncimin e inceneratorëve, Veliaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Nga ana tjetër, Bardhi i është përgjigjur se kauzat e opozitës nuk mund të diktohen nga drama e humbjes së Belind Këlliçit në 14 maj 2023.

Pas debatit, Belo u kthye në zyrën me perde të dyfishta, aty ku herë pas here ‘bleta e Tatimeve’ i ngul thumbin në gjysmë errësirë, në kuadër të investigimit të korrupsionit dhe kallëzimit të personave që i kanë shkaktuar humbjen me 60 mijë vota Belos.

Pasditen e djeshme, Belo nisi sulmet ndaj Gaz Bardhit, përmes kanaçes mediatike të Vesho mallistit. Ky i fundit ishte kronikan i Belos gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës. Madje që të dy, pasi pinin raki deri në mëngjes dhe avullonin ndonjë vizë, e shpallnin veten pasardhës të Qazim Mulletit.

Fillimisht, Belo dhe Vesho hodhën tezën sipas të cilës Erion Veliaj kishte nxitur Gaz Bardhin që të hidhte në publik dosjen kundër Olsi Ramës, pra Babale 2, për të mbytur zhurmën e arrestimit të ish drejtorëve.

Më pas, Belo dhe Vesho akuzuan drejtëpërdrejt Gaz Bardhin për shpikjen e një Babaleje 2, në mënyrë të panevojshme, absurde dhe me kosto për opozitën, duke sfumuar punën e grupit të ekspertëve në SHQUP, me në krye Belon.

Jo vetëm kaq, por nga Bardhi, dyshja Belo-Vesho kaluan tek Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit se po merrte në mbrojtje Veliajn, duke i dhënë prioritet Babale 2 të Bardhit dhe akuzuar Ramën.

Sipas dyshes Belo-Vesho të gjithë, edhe Berisha nga ballkoni, duhet të ndjekin, fokusohen dhe investohen vetëm tek dhimbja e humbjes së Belind Këlliçit përballë Veliajt me 60 mijë vota.

Në një kohë kur përmes kanaçes mediatike të Vesho mallisti sulmonte Bardhin dhe Berishën, publikisht, Belo Ezmeri tha dje se arrestimet e ish drejtorëve ishin pjesë e luftës mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut.

Ndërkaq, ish drejtori Mariglen Qato tha në Top Story përmes avokatit se ‘SPAK ka rënë pre e presionit politike te Ilir Metës, dhe Belind Këlliçit‘.

Qato nuk e përmend rastësisht Ilir Metën.

Së pari, Belo, dikur çirak i Lulzim Bashës, ishte një kandidaturë që doli nga mënga e Ilir Metës në zgjedhjet e 14 majit 2023, për Bashkinë e Tiranës.

Së dyti, rastësi ose jo, prokurori që arrestoi ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, është i njëjti prokuror ka goditur ‘tradhtarët’ e Metës, Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, ndërsa fshehu provat për mikun e Metës, Arben Ahmetaj.

Ndërkaq, vetë Meta, kur u pyet dje rreth Babale 2 të Gaz Bardhit, e injoroi si ‘kauzë’, ndoshta edhe për shkak të historisë së videos me bllokun e pazareve në dorë, video të cilën arriti ta certifikonte si montazh për gjykatën.

Si përfundim, disa nga protagonistët e këtij shkrimi i bashkon një nyje lidhëse: Pastrimi i parave.

Belind Këlliçi është përfshirë në pastrim parash gjatë dhe pas fushatës së 14 majit 2023, në fshehje dhe mashtrim me pasurinë. Bela ka shpenzuar qindra mijëra euro, me burim të pajustifikuar. Shpenzimet janë të dokumentuara, burimi i patave, jo. Nuk dihet nëse ka një hetim kryesisht në SPAK.

Ka prova që Vesho mallisti është përfshirë në pastrim parash, përmes disa kompanive, por këto prova ende nuk janë materializuar në një kallëzim penal.

Ilir Meta është nën hetim prej dy vitesh për pastrim parash, dosje e cila është në duart e prokurorit të SPAK-ut, Sotir Kllapi.

Bleta e Tatimeve ka investuar gjithashtu qindra mijëra euro para të pista në pasuri të paluajtshme, të kamufluara në emër të njerëzve të afërt.