Ekzekutimi i Gentjan Bejtes/ Valter Bami arratiset në Dubai, Policia kërkon call center-in e Ilir Brahimit

Kronike

Publikuar: 20/03/2024

Ekzekutimi i Gentjan Bejtes/ Valter Bami arratiset në Dubai, Policia kërkon call center-in e Ilir Brahimit

Pesë ditë pas ekzekutimit të Gentjan Bejtes në Larushk të Fushë Krujës, dy persona janë arrestuar nën dyshimin se janë të përfshirë në atentat. Policia Kriminale ka nisur 24 orët e fundit verifikimet për zbulimin e një biznesi Call Center, që besohet se është ngritur nga Ilir Brahimi pa lejen e organeve kompetente dhe se ka dyshime të forta se merret me mashtrimin e shtetasve të huaj.

Autorët e vrasjes janë larguar nga zona me një mjet “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe më pas kanë marrë një makinë të dytë, një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme. Mjeti është në pronësi të Edison Haxhiut dhe përdorej nga Ilir Brahimi.

Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiut dhe shoqërimin në ambientet e policisë. Ky mjet po dërgohej në një lavazh për t’u larë dhe menjëherë aty ka ndërhyrë policia.

Deri në këto momente ekzistojnë vetëm dyshime për Ilir Brahimi, si i përfshirë në ngjarjen kriminale të vrasjes së Gentian Bejtjas, pasi ende nuk janë siguruar prova konkrete. Përsa i përket Edison Haxhiut, Policia dhe Prokuroria e Tiranës pretendojnë se ai me makinën e tij tip “Golf 7”, ka arritur të transportojë autorët e krimit në drejtim të fshatit Bubq të Fushë-Krujës.

I njëjti automjet ka rezultuar se është përdorur dhe nga Ilir Brahimi, ndaj autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë një nga autorët e vrasjen së Gentian Bejtes. Nisur nga këto dyshime, është ushtruar kontroll në vilën e tij luksoze që ndodhet në një qendër rezidenciale, ku është gjetur një pistoletë pa lejë dhe një me lejë.

Lidhur me vrasjen e Gentjan Bejtes, janë kryer kërkime dhe verifikime për lokalizimin dhe shoqërimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, mirëpo ka rezultuar se Valter Bami,ka dalë nga Shqipëria pak ditë pas daljes nga burgu. Ai ka shkaur në Dubai ku ndodhet prej disa muajsh dhe Durim Bami, shkruan Ora News.