Berisha shpërblen me post administratorin e ‘Shkëlzen-Tv’, Gazmir Spahija caktohet koordinatori i Rithemelimit për protestat

Kryesore

Publikuar: 01/02/2024

Berisha shpërblen me post administratorin e ‘Shkëlzen-Tv’, Gazmir Spahija caktohet koordinatori i Rithemelimit për protestat

Gazmir Spahija, ish drejtor i Tatimeve në fund të qeverisjes Berisha dhe administrator i televizionit të tij “Syri Tv” është shpërblyer me një tjetër detyrë nga Rithemelimi.

Ai është caktuar një nga 4 koordinatorët e Rithemelimit, që do të merren me organizimin e demokratëve, veçanërisht për protestat pranë shtëpisë së ish kryeministrit.

Detyra administratorit të televizionit të familjes Berisha i është caktuar në mbledhjen e Kryesisë të “Rithemelimit”, që me Berishën të izoluar në arrest shtëpie, e drejtoi Flamur Noka.

Po ashtu, 3 koordinatorët e tjerë që janë caktuar janë të besuarit e fundit që I kanë mbetur Berishës, Klevis Balliu, Aurel Bylykbashi dhe Arben Qirjako.

Këto emra do të merren me organizimin e strukturave, veçanërisht për protestat që “Rithemelimi” mban në mbështetje të Berishës kundër drejtësisë.

Edhe pse kishin deklaruar se përcaktimi i koordinatorëve do të bëhej për t’i hapur rrugë riorganizimit e për të përfshirë edhe grupimin e Bardhit, 4 emrat e koordinatorëve janë vetëm nga radhët e mbështetësve të Sali Berishës.