Aferat e ‘bishtalecit’ të Ministrisë së Brendshme me klientët e dënuar për korrupsion. Kush e ka bllokuar arrestimin e Endri Mullait dhe plani për t’u arratisur si Arben Ahmetaj. BKH i gjeti dhjetëra mijëra euro dhe bllok pazaresh

Krim & Korrupsion

Publikuar: 22/01/2024

Aferat e ‘bishtalecit’ të Ministrisë së Brendshme me klientët e dënuar për korrupsion. Kush e ka bllokuar arrestimin e Endri Mullait dhe plani për t’u arratisur si Arben Ahmetaj. BKH i gjeti dhjetëra mijëra euro dhe bllok pazaresh

Është një nga drejtorët më të lakuar për korrupsion, falsifikime dhe pazare me tenderat, por në të njëjtën kohë edhe mollë sherri mes një ish ministri dhe SPAK-ut.

Bëhet fjalë për Endri Mullain, drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, e njohur si drejtoria e tenderave.

I njohur si ‘bishtaleci i korrupsionit’, Endri Mullai i shpëtoi arrestimit disa muaj më parë falë ndërhyrjes agresive të Bledi Çuçit, i cili ua rrëmbeu pupacin e tij nga duart një skuadre të Byrosë Kombëtar të Hetimit.

‘Bishtaleci’ nisi të bënte rezistencë, duke pretenduar shkelje procedura dhe refuzuar kontrollin personal, të zyrës dhe banesës si dhe dorëzimin e telefonit.

Por një skuadër e BKH-së, me vendim gjykate në dorë, e ‘ngriti në ajër’ në zyrë, ndërsa një grup tjetër trokiti në një nga banesat e tij.

Gjatë kontrollit në një nga banesat e Endri Mullait, BKH-ja gjeti mijëra euro dhe një bllok shënimesh, ndërsa sekustroi një telefon, disa thasë me dosje tenderash dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin.

BKH-ja u hodh në veprim me urdhër të SPAK pas 30 sinjalizimeve dhe denoncimeve ndaj Mullait për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe pazare, përfshirë edhe disa kallëzime penale nga firmat private që ishin skualifikuar pasi Mullai e kishte mbyllur pazarin dhe fituesi ishte paracaktuar.

Endri Mullai u mbajt 48 orë i shoqëruar, por u desh ndërhyrja ekstra ligjore e Bledi Çuçit për të nxjerr nga qelia njeriun e tij më të besuar në atë ministri.

(Mullai ka qenë njeriu i besuar i Çuçit që në Ministrinë e Bujqësisë. Dyshja dyshohet se kanë përvetësuar miliona euro nga aferat me tendera tek Bujqësie, para që besohet se i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, kamufluar në emrin e personave të afërt).

Lajmi i ndërhyrjes, sigurisht i shkoi në vesh dhe kryeministrit Rama, i cili reagoi ashpër ndaj Çuçit pasi informacioni i kishte ardhur nga partnerët ndërkombëtarë.

Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Rama shkarkoi më pas Çuçin si ministër të Brendshëm, edhe pse largimi i tij përkoi me ngjarjen e Rrajave.

Çfarë ndodhi me Endri Mullain?

Pas përplasjes me BKH-në, Endi Mullai, në vend që të frenohej, intensifikoi pazaret me tendera.

Një burim brenda Drejtorisë së Tenderave, theksoi se Mullai, ndryshe nga drejtorët e tjerë, nuk operon me sekserë, kamuflime dhe skemë të sofistikuar, por ulet vetë dhe bën pazare me fituesit e paracaktuar të tenderave.

Teksa BKH-ja dhe SPAK-u vijojnë prej disa muajsh hetimet dhe të kontrollojnë në telefonin e Endri Mullait, ky i fudit vijon hapur pazaret me biznesmenë të ndryshëm, duke diktuar fituesit e tenderave, kryesisht me oferta fituese sa fondi limit.

Pazaret i bën në zyrë në Ministrinë e Brendshme, restorante, lokale, resorte, në udhëtime dhe madje edhe me mesazhe në aplikacione të ndryshme, ku sipas tendarave dhe natyrës së shërbimit, merr 20-30 të vlerës së ofertës fituese.

Prapaskena mëson se aq problematik dhe shqetësim është kthyer bishtaleci saqë Ministri i Brendshëm ka kërkuar kalimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në varësi të Ministrisë së Financave, por një kalim i tillë ka mbetur peng i procedurave dhe ndryshimeve ligjore.

Teksa në SPAK janë referuar disa kallëzime të tjera, ditët e fundit Endri Mullai befas ka prerë bishtalecin si dhe ka bërë gati një akt dorëheqje.

Një burim pranë tij theksoi se Mullaj ka larguar një pjesë të parave jashtë vendit dhe se po përgatitet për t’u arratisur si Arben Ahmetaj në momentin kur të marrë vesh se ndaj tij është firmosur një urdhër-arrest.

Me kë i ndan paratë Endri Mullai?

Endri Mullaj u katapultua në krye të drejtorisë së tenderave në Ministrinë e Brendshme, në korrik 2021, pas arrestimit të ish drejtoreshës Edlira Naqellari nga SPAK për aferën me tenderin 27 milionë euro të uniformave. (Burgun e bëri Naqellari me disa zbatues, ndërsa paratë i përlanë ujqëri i vjetër).

Ai erdhi si dora e besuar e Bledi Çuçit.

Mullai ka ndarë miliona euro me bandën e Talo Çelës. Më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit të vilës së Gentian Sharrës, Mullaj i ka dhënë Sharrës të grupit “Nuredin Dumani-Talo Çela”, tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra” të gruas së tij, ku menaxher në letrat e tenderit figuron Talo Çela, njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Nga SPAK po hetohet edhe tenderi me vlerë 1.5 milionë euro për “Blerje orendi dhe paisje për mobilim zyrash për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”. Këtë tender Mullaj i ka dhënë kompanisë Ro-Al shpk me pronar Robert Kaso.

‘Bishtaleci’ i ka dhënë dhe ka ndarë miliona euro me hajdutin me damkë, Njazi Prençi, i arrestuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion me tendera, falsifikime dhe mashtrim me zbatimin e kontratave. Prençi i ka marrë tenderat përmes tre kompanive në emrin e tij, të të birit dhe të bijës: Regli, Mc Catering dhe Eglenti.

Në korrik 2023, Mullaj i ka dhënë me pazar në tavolinë Eduart Resulit një tender 2.2 milionë euro. Resuli ka marrë mbi 10 milionë euro tendera nga ‘bishtaleci’, ndërsa miliona euro ka ndarë me Robert Kason, pronar i kompanisë RO-AL si dhe me Paulin Gegën, i cili pagoi 300 mijë euro për të mbyllur dosjen në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal dhe pastrim parash.

Miliona euro ka ndarë edhe me klientët Shpresa Nika, Xhino Sinani, i biri i Shemsi Sinanin i dënuar për korrupsion me tenderat, me kompaninë Nelsa të Nexhmi Ballës, i dënuar gjithashtu për korrupsion me tendera, me Piro Zoga, me Gëzim Dobi, Vasil Kapurani, Luan Kapri, Lulzim Qefalia, Platent Gjinari si dhe me dajën e Ilir Metës, Vladimir Metanin.

Rreth 8 milionë euro i ka dhënë Endri Mullaj me dy tendera për blerje uniformash Petrit Kasapit të kompanisë Marsi&Al. Kjo kompani është kallëzuar më parë nga vetë policia dhe Ministria e Brendshme në prokurori për mashtrim me uniformat e policisë. 

Shumicën e klientëve, Mullai i ka takuar vetë dhe ka mbyllur pazarin me to. Nëse SPAK do të thellohet, këto tendera kanë disa karketeristika të përbashkët: Ofertat fituese janë gati sa fondi limit, janë zhvilluar pa konkurrencë ose me garë fiktive, në rastet kur ka pasur garë, janë skualifikuar ofertat më të ulëta etj.