Safet Gjici përlan tendera nga burgu, pas ambientimit me qelinë u rikthehet parave publike me kompaninë e kamufluar në emër të vëllait

Investigim

Publikuar: 25/12/2023

Safet Gjici përlan tendera nga burgu, pas ambientimit me qelinë u rikthehet parave publike me kompaninë e kamufluar në emër të vëllait

Nga Adriatik Doçi

Pasditen e 24 qershorit 2023, ish kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u arrestua me kërkesë të SPAK për korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor, pas publikimit të videos duke kryer marrëdhënie intime në zyrë me të famshmen Alma K.

Prej 7 mujash Gjici mbahet në burg, në letra me akuzën e korrupsionit në tentativë, ndonëse perceptimi publik është se ish kryebashkiaku qëndron në qeli për një ‘gojore’.

Pas tronditjes së javëve të para dhe familjarizimin me burgun, Safet Gjici duket se i ka kthyer sytë nga tenderat dhe përfitimi i parave publike.

Teksa luan Murlan me shokët e qelisë, kompania e Safet Gjicit, Eurogjici-Security, themeluar dhe ngritur nga Safeti, por që e ka kaluar formalisht në emerin e të vëllait Ladrim Gjici, vijon të marrë tendera publikë.

Më 30 nëntor 2023, kompania e Gjicit ka marrë tenderin e radhës me vlerë 630 milionë lekë të vjetra për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike të pronave, aseteve dhe personelit të OSSH, Burrel.

Në ‘garë’ ka marrë pjesë vetëm kompania fituese Eurogjici-Security. Për pasojë edhe diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është sa një bakshish.

Në të njëjtën formë dhe nga e njëjta drejtori, Gjici ka marrë edhe një tender tjetër në 21 shtator 2023, me vlerë rreth 300 milionë lekë të vjetra.

Duket sikur kompanitë e tjera, të shumta në fushën e sigurisë, duke mos marrë pjesë në garë, nuk kanë dashur t’ia vështirësojnë këtë Gjicit fitimin e këto dy tenderave, edhe nga hallet që i kanë rënë.

Dy kompani të themeluara nga Safet Gjici, Eurogjici-Security dhe Kevin Construksion, që sot menaxhohen nga vëllai i tij Ladrim Gjici, vetëm gjatë 7 viteve të fundit, ka fituar të vetme dhe në bashkëpunim tendera publikë me vlerë mbi 110 milionë euro. Dhe kjo shumë sa vjen e rritet, ashtu si ditët e burgut! / Nami.al