Rëndohen pozitat e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon Gërdecit. Ndonëse Berisha pretendon se ai dhe i biri nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen, po dalin të tjerë emra që tregojnë se në fakt Shkëlzeni nuk ka qenë aq i distancuar nga ajo që ndodhte në Gërdec.
Është folur shumë shpesh për një faks që ishte nisur nga Ministria e Drejtësisë në atë të Mbrojtjes me mbishkrimin “për Shkëlzenin”. Vetë Mediu, Aldo Bumçi dhe Shkëlzeni e kanë mohuar, por në fakt ai fax ka ekzistuar dhe kjo është pranuar dhe nga Anila Gjergji me detyrë inxhinierie software në Ministrinë e Mbrojtjes.Sipas Gjergjit, shënimin e sipërpërmendur nuk e ka bërë ajo, por ashtu i kishte shkuar inxhinieres.
“Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet”, tha ajo.
Ish-ministri, Fatmir Mediu, ndërhyri me pyetjen: “A ju ka thënë ministri që ju do prisni fax-in për Shkëlzenin, Sali Berishën etj. Ju ka marrë ministri në telefon, e keni takuar ministrin?”
Por, dëshmitarja përgjigjet me “Jo”.

Historia e Fax-itKy është faksi që Aldo Bumçi ka nisur nga zyra e tij, në adresë të një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes ku punonte në mënyrë informale Shkëlzen Berisha për projektin e Gërdecit. Faksi është fotokopje e “Memo”-s zyrtare, që Bumçi si ministër Drejtësie i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mbrojtjes, për ta miratuar procedurën e koncesionit të Gërdecit me VKM nga qeveria.
Por për të informuar paralelisht Shkëlzenin, që “çdo gjë është në rregull”, një fotokopje të “Memo”-s, i ka vënë shënimin sipër “Për Shkëlzen Berishën” dhe e ka nisur në një numur faksi që i korenspondon protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes.Sekretarja e Aldo Bumçit në dëshminë e saj në Prokurori dhënë në atë kohë kur u hetua e pranon se e ka nisur ajo faksin me porosi të Bumçit dhe ka parë Shkëlzen Berishën të hyjë dy herë në atë kohë tek zyra e Bumçit. Sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes, Anila Lala, pranon që ka marrë faksin nga Ministria e Drejtësisë dhe kur ajo e ka marrë, shënimi “Për Shkëlzen Berishën” ka qenë sipër faksit.
Ajo e ka çuar në një zyrë, ku ka menduar se mund ta merrte Shkëlzen Berisha. Pra, gjithë rruga informale ka qenë e qartë. Të gjithë raportonin te djali i Berishës. /Pamfleti