4 vite pas tërmetit, 1 miliard euro që shkuan tek shokët e Arben Ahmetajt, ja përfituesit më të mëdhenj

Ekonomi

Publikuar: 26/11/2023

4 vite pas tërmetit, 1 miliard euro që shkuan tek shokët e Arben Ahmetajt, ja përfituesit më të mëdhenj

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i katër viteve më parë u përllogaritën në mbi 1 miliardë euro. Në këtë shifër përfshiheshin banesat e dëmtuara pjesërisht, apo plotësisht të qytetarëve si dhe infrastruktura rrugore, ajo e arsimit dhe në shëndetësi.

Qeveria nisi menjëherë një program agresiv për rindërtimin, duke ngritur edhe një ministri më vete në kabinet.

Shifra e vënë në dispozicion për këtë qëllim në vitet 2020 dhe deri këtë vit shkon mbi 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

9 miliardë lekë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik, 8 miliardë lekë janë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë u ndanë për këtë vit. 5 miliardë lekë janë grante të huaja apo hyrje në cash janë përdorur për këtë proces.

Burimet e financimit kanë qenë riorientimi i fondeve të parashikuara për investime si dhe huamarrja.

E ndarë sipas viteve, në 2019 qeveria shpenzoi menjëherë pas tragjedisë 540 milionë lekë nga fondi rezervë.

17 miliardë u alokuan në vitin 2020 dhe gati 30 miliardë lekë në 2021 dhe 2022. Për 2023, qeveria ka ndarë 17 miliardë të tjera po për këtë qëllim.

Megjithatë, rindërtimi nuk përfundon as këtë vit. Në buxhetin e miratuar në parim për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar edhe 7 miliardë lekë të tjera.

Përfitues nga programi i rindërtimit janë gati 40 mijë banorë, kryesisht në Durrës. Te kjo shifër nuk përfshihen banorët që kanë përfituar nga rindërtimi i donatorëve, si Thumana, apo Laçi.

Në krye të listës së përfituesve më të mëdhenj të fondeve të rindërtimit qëndron kompania “Kevin Construksion” e zotëruar nga Lavdrim Gjici, vëllai i ish kryebashkiakut socialist të Kukësit, Safet Gjici.

Më pas vjen kompania “Dajti Park 2007” me aksioner Lulëzim Qefalia – vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia.

Kompania “Gjikuria” është gjithashtu mes përfituesve të mëdhenj të programit me pesë kontrata me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe dy kontrata të tjera me bashkitë e Tiranës dhe atë të Kurbinit.

Mbajtësja e koncesionit të rrugës Orikum- Llogara ka fituar në total kontrata me vlerë rreth 2.8 miliardë lekësh.

“G.P.G Company” e Paqsor Buzit – një ndër kontraktorët e shpeshtë të punëve publike në Shqipëri fitoi tendera me vlerë rreth 2.3 miliardë lekë nga programi i Rindërtimit si operator i vetëm apo si konsorcium.

Ndërsa kompania “Salillari” – gjithashtu një kontraktor i madh i punëve publike, ka përfituar tendera me vlerë 1.9 miliardë lekë nga programi i rindërtimit.