Dritan Rexhepi u prangos sot në Turqi, gjatë një aksioni të forcave speciale të policisë. Shqiptari ndër më të famshmit e botës së krimit, kërkohet edhe nga Italia.
Një gjykatë në Firence e ka dënuar atë me 20 vite burg si kreu i kartelit të parë dhe më të madh shqiptar “Kompania Bello”.
Duket se edhe operacionin për kapjen e tij, e ka organizuar Italia, që ka dhënë informacionin kyç për vendndodhjen e Rexhepit.
Sipas analistit Ilir Kulla, autoritetet italiane kanë përgjuar vendndodhjen e fëmijëve të tij, duke arritur të bien më pas në gjurmët e vetë Rexhepit.
“Italianët e kanë ndjekur, ata e kanë organizuar kapjen e tyre, pavarësisht se është kapur në Turqi. Dhe mesa di unë, i kanë ndjekur fëmijët. Ata kanë ditur se ku i ka patur fëmijët. Ai ka dënim në Shqipëri, ka dënim në Itali. Është ndaluar për llogari të Interpolit dhe të shtetit shqiptar dhe atij italian, se kush do të ketë prioritet për ekstradimin do ta shohim.
Nëse ai flet e bashkëpunon do jetë tërmeti më i madh që ka njohur bota e krimit deri tani”, deklaroi analisti Kulla në një emision televiziv.
Në Shqipëri, Dritan Rexhepi ndër të tjera akuzohet si urdhëruesi i pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës, një qytetar i papërfshirë në botën e krimit, por vëllai i të cilit akuzohej nga anëtarët e kartelit të Rexhepit për përvetësimin e një sasie të madhe kokaine në Britani.
Më herët është raportuar se Rexhepi është baba i një djali, fëijë që ka ardhur nga martesa me një grua ekuadoriane.