Deputetja e PD-së Ina Zhupa është e angazhuar dhe është aktive në luftën kundër korrupsionit.
Por, në një kohë kur deputetja Zhupa ‘lufton’ ditën korrupsionin dhe mbron pasuritë publike nga plaçkitja, bashkëshorti i saj Fabian Goçi merr para publike, përmes tenderave të dyshimtë.
Në vitin 2014, Ina Zhupa ka mbrojtur tezën e doktoraturës për demokracinë postkomuniste në Shqipëri në UET-në e Naim Çilit nga Labinoti i Elbasanit, me emër të ndryshuar në Henri Çili, pas karrierës si doganier dhe poet buzë Shkumbinit.

Në faqet e para të materialit shkencor, me të cilin mori gradën ‘Doktor’, Ina Zhupa e konsideron Henri Çilin si liderin shqiptar të shkencës.
“Është me rëndësi për mua të them që kjo doktorature perveçse ambicie personale është edhe falë dëshirës dhe vullnetit për mbështetje të Administratorit të UET, Henri Çili, Phd, i cili mund të jetë nga të vetmit, për mos thënë i vetmi, që avancimin akademik të pedagogëve të tij e shikon me rëndësi parësore dhe i jep lere. Henri Çili ka ditur gjithmonë të shohë përtej interesit të momentit, por në interes afatgjatë për të miren dhe zhvillimin e një universiteti ku unë angazhohem prej vitesh në mësimdhenie, si edhe në detyra të tjera të rëndësishme me studentët, lider i shkencës dhe i kontributit në fushën arsimore shqiptare“. 
‘Lideri i shkencës’ Henri Çili e nisi karrierën si doganier dhe duke shkruar vjerrsha tek mullari i barit në Labinot, ndërsa e mbylli duke u arrestuar si sekser i gjyqtarëve për të lehtësuar pozitat e vëllëzërve Arbjon dhe Alban Aliko, të cilët vranë efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha.
‘Lideri i shkencës’ po merrte në këmbim 750 mijë eruo prona. (Karrierë më të menderosur vështirë se ka njohur shkenca).
Pasi lartëson figurën e Naimit nga Labinoti, Ina Zhupa i kushton fjalë prekëse deri në adhurim për bashkëshortin e saj (jo me letra) Fabian Goçi, i cili ka marrë deri më tani 300 tendera publikë.
Mes të tjerave, Ina Zhupa shkruan se nuk hedh dot asnjë hap në jetë pa këshillat e Fabian Goçit.
Mes shumë elozheve që thur për vjehrrin dhe vjehrrën, në parathënien e saj të doktoraturës Ina Zhupa shkruan: “Në fund është ai që është edhe në fillim, sepse ai plotëson gjithçka në jetën time, është ai që më mësoi ç’është dashuria dhe të dashurosh, është ai që më bën të lumtur, është ai që më ka qëndruar përkrah që ditën e parë të shkollës doktorale duke besuar verbërisht tek unë, është ai që di të më thotë fjalën e duhur në çdo moment, është ai pa këshillën e të cilët unë nuk bëj dot më asnjë hap në jetë, është ai që i ka dhënë kuptim jetës sime, është dashuria ime e parë, e vetme, e madhe, Fabian Goçi. Askush përveç Fabit nuk ka ditur çdo stres doktoral, çdo afat, çdo takim, çdo detyrim doktoral dhe përherë më ka thënë: shpirt ti do të shkëlqesh aty. Fjalët, mbështetja dhe dashuria e tij më kanë dhënë vrullin e nevojshëm për të ecur përpara dhe më kanë shtuar besimin se do t’ia dilja. E falënderoj me zemër, e falënderoj me gjithë dashurinë time që i përket vetëm atij, e falënderoj për gjithçka“. 
Ina Zhupa, mandat anti-kushtetues
Partitë Demokratike ka një vit që, me të drejtë, kërkojnë heqjen e madatit të deputetes Olta Xhaçka pasi ka përfituar drejtpërdrejt të mira publike nëpërmjet vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të kompanive në zotërim të bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi dhe familjarëve të tjerë të ish ministres.
Por, Olta Xhaçka nuk është deputetja e vetme që duhet t’i hiqet mandati pasi ka përfituar nga pasuria publike, përmes bashkëshortit.
Në të njëjtat pozita antikushtetuese e mban mandatin edhe deputetja opozitare Ina Zhupa, pasi bashkëshorti i saj, Fabian Goçi, një ish faturist, ka marrë dhe po merr miliona euro para publike, përmes 300 tenderave publikë.
Ndërsa Olta Xhaçka po hesht pasi heqjen e mandatit ia ka bllokuar Lindita Nikolla e Kuvendit me procedura, Ina Zhupa ka guximin dhe del e bilbilos para Gjykatës Kushtetuese, duke mbajtur mandatin në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ka futur të dyja duart e burrit të saj, Fabian Goçi, në buxhetin e shtetit.
5 milionë euro vjedhje
Fabian Goçi është skeduar për skema mashtrimi dhe evazion fiskal, ku vetëm në një rast Prokuroria konstatoi 5 milionë USD vjedhje duke shmangur taksat.
Bëhet fjalë skemën e evazionit fiskal me hidrokarburet bashkë me turkun e ALPET Ibrahim Aktoz, dosje mbyllur pjesërisht nga gjykata në mënyrë tejet të dyshimtë, për të cilën do të flasim më në detaje në vijim.
300 tendera
Fabian Goçi kontrollon një kartel kompanish, ku përpos vjedhjes përmes skemave mashtruese, ka përfituar miliona euro para publike me tendera.
Me kompaninë e hidrokarbureve A&T, me nipt L32320008H, burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi, vitet e fundit, ka marrë rreth 240 tendera publikë për furnizim me karburant me vlerë miliona euro.
Fabian Goçi është pronar edhe i kompanisë tjetër të karburanteve 2A2F – L OIL, me nipt L41915013M.
Me këtë kompani, gjatë viteve të fundit, ka përfituar rreth 60 tendera publikë me vlerë disa milionë euro.
Është sa e habitshme por dhe aq ironike se si Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike, që denoncon çdo javë tenderët e fituara nga bizneset e ndryshme, në asnjë rast nuk ka denoncuar një tender të fituar nga bashkëshorti i saj Fabian Goçi, që operon në kanalet tenderuese me kompanitë “A&T” dhe “2A2F-L OIL”.
Burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi, qëndron gjithashtu pas kullës që po ndërtohet pas Sahatit në Tiranë, ndërkohë që Ina Zhupa ka denoncuar dhe akuzuar Bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi në qendër të Tiranës, duke qenë vetë përfituese.
Ndërkaq, Ina Zhupa duhet të merret nën hetim pasi nuk ka delaruar pasurinë e bashkëshortit në deklaratat e pasurisë që ka dorëzuar si deputete në ILDKPKI.
Ligji për deklarimin e pasurisë parashikon detyrimin e subjektit deklarues për të deklaruar pasurinë e bashkëshortit apo bashkëjetuesit.
Fabian Goçi nuk figuron në deklarimin e pasurisë së Ina Zhupës. Në deklarimin e pasurisë Ina Zhupa e mohon bashkëshortin apo bashkëjetuesin, ndërsa në dokumente të tjera e quan dashurinë e saj të përjetshme.
Karteli ikompanive
Katerli i kompanive mund të jenë arsyeja sepse Ina e ka fshirë burrin nga deklarata e saj e pasurisë, duke shkelur ligjin.
Që ta korigjojë gabimin mbase duhet një kallëzim në SPAK, pasi Ina si deputete është subjekt i SPAK-ut.
Balkan Petrolium Internacional dhe Balkans Petroleum Albania janë dy kompani nafte, ku Goçi është aksioner me 25 për qind. Por du kompanitë kanë pezulluar aktivitetin që nga viti 2014.
Një tjetër kompani është “Diga”, ku Fabian Goçi, rezulton të jetë aksioner me 15 për qind.
Një tjetër kompani ndërtimi ku Fabian Goçi, është aksioner me 30 përqind, është firma ndërtimore “BA-Konstruksion”, themeluar në muajin nëntor të vitit 2019 me tre aksionerë.
Burri i Ina Zhupës është pronar me 100 % edhe i kompanive të hidrokarbureve 2A2F-L OIL” dhe “A&T”, që dikur ka mbajtur emrin “A.K.F PETROLEUM OIL”.
Me këto dy kompani publike ka marrë rreth 300 tendera nga degët e qeverisë.
Dosja e evazionit fiskal
Pikërisht kompania A.K.F PETROLEUM OIL, e zotëruar nga bashkëshorti i Ina Zhupës, është përfshirë në skandalin e evazionit fiskal 5 milionë USD me firmën “Fullpet” që ishte në pronësi të Aurel Prenit, shokut të ngushtë i Fabian Goçit.
Gjatë një procesi hetimor të kryer nga prokuroria e Tiranës, Fabian Goçi në dëshminë e tij para prokurorëve të dhënë në vitin 2015, ka sqaruar se më datë 7 korrik 2014, kishte marrë nga shoqëria “Fullpet”, si ndihmë financiare, një shumë prej 88.158.170 lekë, nëpërmjet një kontrate huaje datë 5 korrik 2014, shumë të cilën e kishte kthyer, ndërsa dispononte për këtë dhe një deklaratë nga Aurel Preni, administrator i shoqërisë “Fullpet”, të cilin siç tregon Goçi, ai e kishte shok, ndërsa kishte punuar për pak kohë dhe tek kjo shoqëri, si faturist.
Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se nga të dhënat e marra nga sistemi informatik tatimor ka rezultuar se 17 subjekte juridike të lidhur mes tyre, ku një grup personash shfaqet në pozicione të ndryshme, administrator, drejtor ekzekutiv, drejtor shitjes, ekonomist, faturist dhe shitjes karburanti, mes tyre dhe personi nën hetim Aurel Preni, sikundër dhe shtetasit Fiqiri Hoxha dhe Fabian Goçi, ku këta të fundit, si përfaqësues ligjor të shoqërisë “AKP Petroleum” apo si person fizik, mbas evidentimit dhe kërkimit të borxhit tatimor ndaj Shoqërisë “Fullpet”, kanë realizuar transaksione me Aurel Prenin, si përfaqësues ligjor të kësaj shoqërie, duke përfituar nga kjo shoqëri pasuri asete dhe para, ndërsa ajo rezulton të kishte fshehur të ardhurat që i nënshtrohen tatimeve, si dhe të mos kishte paguar në afat detyrimet tatimore me gjithë mundësinë e pagimit të tyre.
Një pjesë e këtyre persona, mes tyre dhe Fabian Goçin, u morën të pandehur nga prokuroria dhe dosja u dërgua në gjykatë me 6 të pandehur Androkli Kokthi, ish-drejtor i Tatimeve Tiranë, Ibrahim Aktoz, Ekrem Oztemel, Fabian Goci, Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha.
Prokuroria e Tiranës, kërkoi dënimin e Goçit, me 8 vite burgim për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”, por treshja gjykuese e kryesuar nga Fatos Qato, urdhëroi pushimin e akuzës për bashkëshortin e Ina Zhupës.
Fatos Qato u shkarkuar më pas nga Vetingu pasi nuk justifikonte pasurinë.
Në këtë çështje të vetmit që shpëtuan nga dënimi i drejtësisë ishin Androkli Kokthi dhe burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi.
Sot Goçi merr tendera, ngre kulla dhe bën pazare në një zyrë luksi te “Sky Tower”, pranë zyrave të braktisura nga Arben Ahmetaj.
Ndërsa gruaja e tij Ina Zhupa ‘lufton’ korrupsionin në Parlament, me një mandat antikushtetues dhe duke fshehur pasurinë e personave të ludhur me të.