Gjykata e Apelit refuzon ekstradimin në Hagë, lirohet ish-ushtari i UÇK, Dritan Goxhaj

Aktualitet

Publikuar: 10/10/2023

Gjykata e Apelit refuzon ekstradimin në Hagë, lirohet ish-ushtari i UÇK, Dritan Goxhaj

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur lirimin e ish-luftëtarit të UÇK, Dritan Goxhaj. Apeli i Tiranës ka refuzuar ekstradimin e tij në Hagë.

Goxhaj u arrestua në vendin tonë më 31 korrik me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës.

Gjyqtari Gent Shala ka vendosur refuzimin e ekstradimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm. Avokati Ardjan Visha apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila pranoi ekstradimin. Në seancën e sotme ishte i pranishëm edhe vet Goxhaj.

Ish-anëtari i ushtrisë çlirimtare të Kosovës akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Prej më shumë se një muaji e gjysmë, Goxhaj kundërshtoi ekstradimin dhe e cilësoi arrestimin si heqje të paligjshme të lirisë. Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrikut 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.

Ndaj shoqëruesit të trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.