SPAK rrethon banesën e bosit të kokainës Gëzim Çela, arrestohet shefi i komisariatit të Laçit Dritan Meta pasi e mbronte

Kryesore

Publikuar: 09/10/2023

SPAK rrethon banesën e bosit të kokainës Gëzim Çela, arrestohet shefi i komisariatit të Laçit Dritan Meta pasi e mbronte

Forca të shumta të policisë kanë rrethuar banesën e Gëzim Çelës, ish-punonjësi i policisë i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Europë.

Mësohet se forcat e policisë kanë rrethuar banesën dhe lokalin e Çelës në Fushë-Kuqe, ndërsa operacioni po kryhet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK.

Raportohet se është kryer edhe arrestimi i një punonjësi të policisë, shef komisariati, ndërsa aksione paralele po zhvillohen edhe në Tiranë, Durrës, Vlorë, Kurbin.

Kujtojmë se drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka njoftuar një konferencë për mediat në orën 18:30. Mbetet e paqartë nëse është arritur të arrestohet Gëzim Çela.

Gëzim Çela akuzohet për veprat penale “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ai ka qenë më herët subjekt i “OFL”-së teksa ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë.

Aktiviteti i Çelës ka nisur pak më herët se në vitin 2014 kur në bashkëpunim me persona nga Kosova kanë krijuar një rrjet të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës dhe Shqipërisë për ta shpërndarë më pas në të gjithë Europën dhe më tej.

SPAK ka lëshuar 5 urdhër arreste ndërsa mes të arrestuarve rezulton edhe shefi i komisariatit në Laç, Dritan Meta.

Aksionet paralele po zhvillohen edhe në Tiranë, Krujë, Durrës, Vlorë, Kurbin. Dyshohet se ky operacion është vijmësi e ‘Flakë në det’, ku u arrestua edhe nipi i tij Nerim Çela, 40 vjeç.