Partitë Demokratike ka një vit që, me të drejtë, kërkojnë heqjen e madatit të deputetes Olta Xhaçka pasi ka përfituar drejtpërdrejt të mira publike nëpërmjet vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të kompanive në zotërim të bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi dhe familjarëve të tjerë të ish ministres.
Por, Olta Xhaçka nuk është deputetja e vetme që duhet t’i hiqet mandati pasi ka përfituar nga pasuria publike, përmes bashkëshortit.
Në të njëjtat pozita antikushtetuese e mban mandatin edhe deputetja opozitare Ina Zhupa, pasi bashkëshorti i saj, Fabian Goçi, një ish faturist, ka marrë dhe po merr miliona euro para publike, përmes 300 tenderave publikë.
Deputetja e PD natën përlan tendera përmes bashkëshortit, ditën ‘lufton’ korrupsionin me tendera, ndërsa nuk deklaron as pasurinë e bashkëshortit Fabian Goçi.
Ndërsa Olta Xhaçka po hesht pasi heqjen e mandatit ia ka bllokuar Lindita Nikolla e Kuvendit me procedura, Ina Zhupa ka guximin dhe del e bilbilos para Gjykatës Kushtetuese, duke mbajtur mandatin në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ka futur të dyja duart e burrit të saj, Fabian Goçi, në buxhetin e shtetit.
Fabian Goçi është skeduar për skema mashtrimi dhe evazion fiskal, ku vetëm në një rast Prokuroria konstatoi 5 milionë USD vjedhje duke shmangur taksat.

Bëhet fjalë skemën e evazionit fiskal me hidrokarburet bashkë me turkun e ALPET Ibrahim Aktoz, dosje mbyllur pjesërisht nga gjykata në mënyrë tejet të dyshimtë, për të cilën do të flasim më në detaje në vijim.
Fabian Goçi kontrollon një kartel kompanish, ku përpos vjedhjes përmes skemave mashtruese, ka përfituar miliona euro para publike me tendera.
Me kompaninë e hidrokarbureve A&T, me nipt L32320008H, burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi, vitet e fundit, ka marrë rreth 240 tendera publikë për furnizim me karburant me vlerë miliona euro.
Fabian Goçi është pronar edhe i kompanisë tjetër të karburanteve 2A2F – L OIL, me nipt L41915013M.
Me këtë kompani, gjatë viteve të fundit, ka përfituar rreth 60 tendera publikë me vlerë disa milionë euro.
Është sa e habitshme por dhe aq ironike se si Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike, që denoncon çdo javë tenderët e fituara nga bizneset e ndryshme, në asnjë rast nuk ka denoncuar një tender të fituar nga bashkëshorti i saj Fabian Goçi, që operon në kanalet tenderuese me kompanitë “A&T” dhe “2A2F-L OIL”.
Burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi, qëndron gjithashtu pas kullës që po ndërtohet pas Sahatit në Tiranë, ndërkohë që Ina Zhupa ka denoncuar dhe akuzuar Bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi në qendër të Tiranës, duke qenë vetë përfituese.
Ndërkaq, Ina Zhupa duhet të merret nën hetim pasi nuk ka delaruar pasurinë e bashkëshortit në deklaratat e pasurisë që ka dorëzuar si deputete në ILDKPKI.
Ligji për deklarimin e pasurisë parashikon detyrimin e subjektit deklarues për të deklaruar pasurinë e bashkëshortit apo bashkëjetuesit.
Fabian Goçi nuk figuron në deklarimin e pasurisë së Ina Zhupës. Në deklarimin e pasurisë Ina Zhupa e mohon bashkëshortin apo bashkëjetuesin, ndërsa në dokumente të tjera e quan dashurinë e saj të përjetshme.
Çfarë thotë Ina Zhupa për burrin e saj që e fsheh në letra?
“Vlera e përjetshme e çdo kohe është dashuria. Ja kushtoj dashurisë time Fabian Goçi”.
Ky është postulati që ka shkruar në temën e doktoraturës së saj, depuetja Ina Zhupa, e cila të gjithë punën “krijuese shkencore” ja dedikonte vjehrrit, vjehrrës dhe bashkëshortit të saj.
Mes shumë elozheve që thur për vjehrrin dhe vjehrrën, në parathënien e saj të doktoraturës Ina Zhupa, falenderime të veçanta ka dhe për Fabian Goçin, ku shkruan se: “…është ai pa këshillën e të cilit unë nuk bëj dot më asnjë hap në jetë, është ai që i ka dhënë kuptim jetës sime, është dashuria ime e parë, e vetme e madhe Fabian Goçi…”.
Dashuria e parë, e vetme dhe madhe Fabian Goçi, por Fabiani nuk duket askund në deklaratën e pasurisë së Ina Zhupës si deputete. Si ka mundësi? Të gjithë subjektet i deklarojnë bashkëjetuesit dhe bashkëjetueset, pra dashuritë e mëdha dhe të vogla?!
Karteli ikompanive
Katerli i kompanive mund të jenë arsyeja sepse Ina e ka fshirë burrin nga deklarata e saj e pasurisë, duke shkelur ligjin.
Që ta korigjojë gabimin mbase duhet një kallëzim në SPAK, pasi Ina si deputete është subjekt i SPAK-ut.
Balkan Petrolium Internacional dhe Balkans Petroleum Albania janë dy kompani nafte, ku Goçi është aksioner me 25 për qind. Por du kompanitë kanë pezulluar aktivitetin që nga viti 2014.
Një tjetër kompani është “Diga”, ku Fabian Goçi, rezulton të jetë aksioner me 15 për qind.
Një tjetër kompani ndërtimi ku Fabian Goçi, është aksioner me 30 përqind, është firma ndërtimore “BA-Konstruksion”, themeluar në muajin nëntor të vitit 2019 me tre aksionerë.
Burri i Ina Zhupës është pronar me 100 % edhe i kompanive të hidrokarbureve 2A2F-L OIL” dhe “A&T”, që dikur ka mbajtur emrin “A.K.F PETROLEUM OIL”.
Me këto dy kompani publike ka marrë rreth 300 tendera nga degët e qeverisë.
Dosja e evazionit fiskal
Pikërisht kompania A.K.F PETROLEUM OIL, e zotëruar nga bashkëshorti i Ina Zhupës, është përfshirë në skandalin e evazionit fiskal 5 milionë USD me firmën “Fullpet” që ishte në pronësi të Aurel Prenit, shokut të ngushtë i Fabian Goçit.
Gjatë një procesi hetimor të kryer nga prokuroria e Tiranës, Fabian Goçi në dëshminë e tij para prokurorëve të dhënë në vitin 2015, ka sqaruar se më datë 7 korrik 2014, kishte marrë nga shoqëria “Fullpet”, si ndihmë financiare, një shumë prej 88.158.170 lekë, nëpërmjet një kontrate huaje datë 5 korrik 2014, shumë të cilën e kishte kthyer, ndërsa dispononte për këtë dhe një deklaratë nga Aurel Preni, administrator i shoqërisë “Fullpet”, të cilin siç tregon Goçi, ai e kishte shok, ndërsa kishte punuar për pak kohë dhe tek kjo shoqëri, si faturist.
Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se nga të dhënat e marra nga sistemi informatik tatimor ka rezultuar se 17 subjekte juridike të lidhur mes tyre, ku një grup personash shfaqet në pozicione të ndryshme, administrator, drejtor ekzekutiv, drejtor shitjes, ekonomist, faturist dhe shitjes karburanti, mes tyre dhe personi nën hetim Aurel Preni, sikundër dhe shtetasit Fiqiri Hoxha dhe Fabian Goçi, ku këta të fundit, si përfaqësues ligjor të shoqërisë “AKP Petroleum” apo si person fizik, mbas evidentimit dhe kërkimit të borxhit tatimor ndaj Shoqërisë “Fullpet”, kanë realizuar transaksione me Aurel Prenin, si përfaqësues ligjor të kësaj shoqërie, duke përfituar nga kjo shoqëri pasuri asete dhe para, ndërsa ajo rezulton të kishte fshehur të ardhurat që i nënshtrohen tatimeve, si dhe të mos kishte paguar në afat detyrimet tatimore me gjithë mundësinë e pagimit të tyre.
Një pjesë e këtyre persona, mes tyre dhe Fabian Goçin, u morën të pandehur nga prokuroria dhe dosja u dërgua në gjykatë me 6 të pandehur Androkli Kokthi, ish-drejtor i Tatimeve Tiranë, Ibrahim Aktoz, Ekrem Oztemel, Fabian Goci, Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha.
Prokuroria e Tiranës, kërkoi dënimin e Goçit, me 8 vite burgim për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”, por treshja gjykuese e kryesuar nga Fatos Qato, urdhëroi pushimin e akuzës për bashkëshortin e Ina Zhupës.
Fatos Qato u shkarkuar më pas nga Vetingu pasi nuk justifikonte pasurinë.
Në këtë çështje të vetmit që shpëtuan nga dënimi i drejtësisë ishin Androkli Kokthi dhe burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi.
Sot Goçi merr tendera, ngre kulla dhe bën pazare në një zyrë luksi te “Sky Tower”, pranë zyrave të braktisura nga Arben Ahmetaj.
Ndërsa gruaja e tij Ina Zhupa ‘lufton’ korrupsionin në Parlament, me një mandat antikushtetues dhe duke fshehur pasurinë e personave të ludhur me të. Vijon…