Fundi i një fantazie të shfrenuar, gjyqi McGonigal në SHBA mbylli gojën e opozitës

Botë

Publikuar: 23/09/2023

Fundi i një fantazie të shfrenuar, gjyqi McGonigal në SHBA mbylli gojën e opozitës

Charles McGonigal ishte kryefjalë për opozitën në vendin tonë. Për një vit me radhë, Partia Demokratike u përpoq që të krijonte artificialisht një skandal shqiptar, duke lidhur akuzat ndaj ish zyrtarit të FBI-së për mosdeklarim parash apo udhëtimesh. Një “tollumbace” e fryrë, që më në fund u shpua dje nga gjyqi i mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

McGonigal ka pranuar vetëm një akuzë. Ai ka deklaruar para togave të zeza se ka marrë 225 mijë dollarë, të cilat nuk i ka deklaruar. Në këtë mënyrë, McGonigal i ka dhënë fund të gjitha aludimeve, duke mbyllur hetime. Prokurori ka hequr dorë nga akuzat e tjera, pasi ish zyrtari i FBI-së ka pranuar marrjen e 225 mijë dollarëve.

Kësisoj, nuk do të ketë më hetime për asnjë person tjetër, të pretenduar nga PD-ja, që servirej për çdo ditë nga tryeza e madhe e opozitës. Çdo imagjinatë e krijuar nga propaganda e opozitës, mori fund dje me gjyqin e zhvilluar në SHBA, ku ish zyrtari i FBI-së pranoi vetë se ka marrë 225 mijë dollarë nga Shqipëria.