Pesë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit pasi dyshohen se kanë kryer krime zgjedhore gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Mes të arrestuarve është drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Cërrikut, Artion Taçi si dhe Alban Shima, përgjegjës i OSHEE-së në Cërrik.
Gjithashtu në pranga është vënë edhe Agiano Dinoshi specialist në Bashkinë e Cërrikut i dyshuar për falsifikim dokumentesh. Ky i fundit është shfaqur në fushatë në krah të kandidatit të Partisë Socialiste për këtë bashki.
Njoftimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka kryer arrestimet, nuk ka dhënë më tepër detaje lidhur me hetimet e Prokurorisë Elbasan mbi këtë grup.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për shtetasit:
1. Artion Taçi, 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
2. Armand Gjoka, 43 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
3. Adnan Xhelili, 33 vjeç, me detyrë punonjës i Zjarrfikëses në Bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
4. Alban Shima, 35 vjeç, me detyrë Përgjegjës i OSHEE Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”;
5. Agiano Dinoshi, 34 vjeç, me detyrë specialist në bashkinë Cërrik, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim i shtetasit K.V., 64 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi vazhdojnë me qëllim identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.