“Fluturoi” me makinë te diga e Liqenit Artificial, arrestohet 26-vjeçari

Aktualitet

Publikuar: 22/08/2023

“Fluturoi” me makinë te diga e Liqenit Artificial, arrestohet 26-vjeçari

Arrestohet i riu që “fluturoi” me makinë sot tek diga e Liqenit Artificial. Në pranga ra Eldi Allushi, 26 vjeç.

Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa autori po udhëtonte me një automjet të tipit “BMw X6”.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duket se për vetëm tre sekonda mjeti i drejtuar nga 26-vjeçari nga Durrësi, nga Rruga e Kosovarëve përplaset me pemën dhe vijon pingul lëvizjen mbi pjesën e digës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar nga këmbësorët që po bënin vrapin e mëngjesit.

Dyshohet se makina lëvizte me afro 250 kilometër në orë dhe për shkak të kësaj shpejtësie, fuoristrada arrin të ngjisë kodrën dhe të përplaset te bordura mbrojtëse.

26-vjeçari mori targat, dokumentet e makinës dhe u largua në drejtim të paditur për t’u identifikuar orë më vonë dhe shpallur në kërkim për 2 vepra penale, shkatërrim i pronës dhe largim nga vendi i aksidentit.

Pas kërkimeve të shumta, ai u lokalizua këtë mbrëmje dhe u arrestua nga policia. Dyshimet janë se i riu ka qenë nëm efektin e drogës dhe të alkoolit. Ai do u nënshtrohet analizave dhe do të merret në pyetje mbi ngjarjen. Fatmirësisht aksidenti ndodhi në një orë që nuk kishte njerëz te diga e Liqenit, pasi nëse do të ishte në orët e pasdites, do të ishte një aksident me bilanc tragjik.

Lidhur me aksidentin reagoi edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili publikoi videon që tregon “çmendurinë” e 26-vjeçarit, i cili duket se fluturon me makinë.