“Grusht shteti “juridik”/ Dritan Goxhaj reagon nga burgu për akuzat e “Speciales”

Aktualitet

Publikuar: 19/08/2023

“Grusht shteti “juridik”/ Dritan Goxhaj reagon nga burgu për akuzat e “Speciales”

Një grusht shteti “juridik” e konsideron Dritan Goxhaj vendimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës për ta mbajtur në qeli, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ish-anëtari i UÇK-së, me anë të një letre të publikuar nga burgu, shprehet se “sot, Shqipëria dhe sistemi i saj juridik po tentohen të merren peng nga Zyra e Prokurorit Special) e Kosovës dhe Gjykata Speciale e Kosovës.”

“Këto dy subjekte, pasi kanë marrë peng shtetin e brishtë dhe të ri të Kosovës duke e kthyer atë në kohën e Rankoviçit, kur shqiptarët arrestoheshin, dënoheshin dhe vriteshin vetëm për lirinë e fjalës, vetëm se guxonin të shprehnin hapur opinionet, po mundohen edhe sot që, të marrin peng fjalën e lirë”, shprehet Goxhaj

Sipas tij, veprat për të cilat kjo prokurori ka ngritur akuzë nuk janë absolutisht kompetencë e saj, “por këto dy subjekte i kanë dhënë vetes tagrin që të marrin edhe kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm”, thekson Goxhaj.

Dritan Goxhaj u arrestuar rreth një muaj më parë në Tiranë me akuzën se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale, të ngritura pas luftës në Kosovë. Në kryeqytet janë mbajtur disa protesta për të kërkuar lirimin e tij.