Deklarata e fortë e Mero Bazes, kush janë gazetarët në borderotë e Arben Ahmetajt dhe Shkëlzen Berishës

Krim & Korrupsion

Publikuar: 19/08/2023

Deklarata e fortë e Mero Bazes, kush janë gazetarët në borderotë e Arben Ahmetajt dhe Shkëlzen Berishës

Gazetari Mero Baze, një njohës i thellë dhe i hershëm i prapasakenave të politikës, shkroi dje mes të tjerash në një editorial tek Tema, se prokurorët e SPAK-ut po sulmohen nga gazetarë që janë në borderotë e Arben Ahmetajt dhe Shkëlzen Berishës.

Gjithë opozita e Berishës dhe Metës, dhe gjithë gazetarët që janë ca në bordero të kërkuarish, e ca në borderotë e Shkëlzenit, i janë turrur prokurove të SPAK, pse nuk arrestojne x person, pse arreston y person, lavdërojnë një gjykatës që ka kërkuar hetime më shumë, dhe linçojnë një prokuror që ka futur në burg 9 vetë në një ditë“, shkruan Baze.

Po kush janë gazetarët që paguhen nga Arben Ahmetaj dhe Shkëlzeni, çfarë i bashkon dhe si mund të dallohen?

Janë gazetarë, pseudogazetarë dhe analistë gjoja opozitarë, që me miratimin e dyshes Meta-Berisha, i dolën në mbrojtje korrupsionit të Arben Ahmetajt, ish numrit dy të qeverisë.

Është e paprecedentë që një opozitë të angazhohet në mbrojtje të korrupsionit të numrit dy të pushtetit, në vend që të përfitonte politikisht nga detajet e korrupsionit të frikshëm.

Janë ata gazetarë dhe analistë që shfaqen duke pirë puro dhe ngrënë karkaleca me Arben Ahmetajn, që nuk flasin kurrë për aferat e Familjes Berisha dhe që çuditërisht mbrojnë edhe disa ministra të pushtetit, të lakuar për afera korruptive.

Janë pikërisht ata analistë dhe ish zyrtarë të korruptuar të PD-së, të maskuar si gazetarë pas 2013, që kanë vila në Farkë, Gjirin e Lalzit dhe Palasë.

Gazetarët në borderotë e Tigrit dhe Zenit dallohen lehtësisht pasi nuk flasin kurrë për oligarkët, ashtu sikurse nuk flasin Berisha, Meta dhe Kryemadhi, pra për oligarkët që po ndajnë pasuritë dhe paratë publike, me vendime qeverie.

Duket e pabesueshme, por dyshja Berisha-Meta me gazetarët në borderotë e Tigrit dhe Zenit, ditët e fundit po mbrojnë edhe Edi Ramën nga ‘komploti’ i Erion Veliajt, pasi Rama mori në mbrojtje kullën e Shkëlzenit.

Aktualisht, dyshja Berisha-Meta me gazetarët në borderotë e Tigrit dhe Zenit, sulmojnë vetëm prokurorët e SPAK-ut se pse nuk arrestojnë njerëzit që thonë ata, sulmojnë Erion Veliajn që mos t’u rrëzojë Ramën, ndonjë gazetarë që nuk shihet dhe as nuk blihet, si dhe inceneratorët, pasi nuk morën gjobën që kërkuan.

Dosja e sterilizimit po i diskretiton më shumë në sytë e shqiptarëve, pasi nuk flasin dot për tre koncensionet e tjera, atë të hemodializës, check up dhe laboratorëve sepse pas tyre qëndron Klod Allajbeu, i cili pastron paratë e Shkëlzenit në fabrikën fantazmë të boronicave në Gërdec.

Sali Berishës, Ilir Metës dhe zagarëve të tyre mediatikë u ikën llapa nëse përmendin aferat e Klodit me Ilir Beqajn dhe Ogerta Manastirliun.

Dhe kur humbin edhe më thellë zgjedhjet e radhës bëjnë si të mërzitur 2-3 ditë, duke shpikur alibi nga më banalet.

Halli i tyre është të qëndrojnë bashkë për të mbajtur monopolin opozitar, për t’u mbrojtur nga veprimi i SPAK si dhe për të kapur çfarë të lënë pas pushteti me oligarkët.