Restoranti i Gëzim Çelës u përdor si depo hashashi. SPAK në kërkim të “Kapeles” e baronit të drogës. Ja video me skaf e Memës dhe Ismailukaj

Kryesore

Publikuar: 17/08/2023

Restoranti i Gëzim Çelës u përdor si depo hashashi. SPAK në kërkim të “Kapeles” e baronit të drogës. Ja video me skaf e Memës dhe Ismailukaj

Nga Elton Qyno

Restoranti “Royal Blue” në lagunën e Patokut që njihet si pronë e Gëzim Çelës, rezulton të ketë shërbyer si depo hashashi, që më pas trafikohej me gomone në Malin e Zi dhe Itali.

Mesditën e sotme, Gjykata e Posaçme, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 6 personave të arrestuar gjatë operacionit “Flakë në det”.

Ndërsa gjatë zhvillimit të gjyqit kanë dalë në dritë fakte të reja, që tregojnë se ambientet të “Royal Blue” janë përdorur si depo për grumbullimin e sasisë së drogës.

Ky restorant luksoz njihen në zonë si pronë e Gëzim Çelës, por në dokumente ai ishte deri në 21 qershor 2023 në emër të kushëririt të tij, Nerim Çela.

Por pas kësaj data, ai ka vendosur të heqë dorë nga pronësia e kompleksit luksoz, duke ia kaluar pronën 48-vjeçares, Miralda Thartori.

Por teksa gjykata ka vendosur sot mbylljen në burg të 4 shqiptarëve dhe dy shtetasve Ukrainas, burime pranë SPAK, thanë se kërkimet janë kryer edhe për kapjen e “Baronit të Drogës”, Gëzim Çela.

Çela rezulton i dënuar edhe më parë me 10 vite burgim për akuzën e “Trafikut të drogës” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas dosjes Besnik Brokeri nga Vlora së bashku me vlonjatin tjetër Arben Dalipaj që identifikohet me nofkën “Kapelja”, u nisën të dy nga restoranti në fjalë me kanabisin dhe do të kthenin po aty kokainën që do shkëmbenin në det.

Nga dosja del edhe emri i ish-punonjësit të policisë, Arlind Ismailukaj në telefonin e të cilit u gjetën komunikime me Arben Dalipajn.

Gjithashtu në makinën e Ismailukaj, ai ndodhej teksa shoqërohej me Armando Memën. Teksa RENEA arrestoi dy personat, gjatë kontrollit fizik të makinës u gjetën 10 mijë euro të fshehura në kroskotin e makinës.

“Ora News” ka siguruar një video, ku dy të arrestuarit Arlind Ismailukaj dhe Armando Mema, ndodhen brenda një skafi në detin Adriatik.

Ndërkohë më tej në dosje thuhet se pasi është bërë shkëmbimi i kanabisit me kokainën, e cila vinte me një verlierë nga Mali i Zi, gomonia të cilën e drejtonte Brokeri dhe Dalipaj, është sekuestruar pas disa orësh ndjekje nga ana e policisë.

Por brenda saj nuk është gjetur lënda narkotike kokainë, e cila dyshohet se është marrë nga trafikantët shqiptarë. Policia mundi të arrestojë vetëm Besnik Brokerin, ndërsa Arben Dalipaj nuk mundi të arrestohet.

Vlonjati është hedhur në det dhe deri në këta fazë nuk ka asnjë të dhënë për të nëse ka mundur të dalë në breg.

E teksa kërkimet për të dhe Gëzim Çelën kanë vijuar, nga ana e policisë veliera me lëndë narkotike kanabis, që drejtohej nga dy ukrainasit është konstatuar në afërsi të Kepit të Rodonit.

Dy ukrainasit pasi kanë konstatuar prezencën e policisë, i kanë vënë flakën kanabisit dhe Velierës, e cila më pas është fundosur. Ndërsa shtetasit Ukrainas janë arrestuar.