A është shefi i kokainës Gëzim Çela koka e grupit në Fushë Kuqe që u godit nga Dea Amerikane dhe SPAK, pse po shmanget emri i tij, lidhja me Brilant Martinajn

Krim & Korrupsion

Publikuar: 16/08/2023

A është shefi i kokainës Gëzim Çela koka e grupit në Fushë Kuqe që u godit nga Dea Amerikane dhe SPAK, pse po shmanget emri i tij, lidhja me Brilant Martinajn

Policia e Shtetit zhvilloi një operacion ndaj një grupi kriminal të trafikut të drogës të lokalizuar në Kurbin.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me SPAK, Guardia di Finanza dhe DEA Amerikane.

6 persona janë arrestuar deri më tani ndërsa janë bllokuar 4 gomone dhe një velierë, që trafikantët e lanë djegur.

Konkretisht janë arrestuar Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;  Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.

Të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi me bazë në Fushë Kuqe të Kurbinit, që shkëmbente kanabis me heroinë/kokainë, e ndërsa mes tyre dhe ka shtetas të huaj.

Veliera është me flamur ukrainas, nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në Adriatik.

Hetimi po drejtohet nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara, në hetim mësohet se është edhe një zyrtar i policisë.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga njoftoi përmes një deklaratë për shtyp se në këtë operacion u sekuestruan dy armë zjarr, një automjet tip “Audi” si dhe 45 mijë euro, 2 mln lekë të vjetra, 500 paund dhe franga zviceriane dhe 25 aparate celulare.

Sipas policisë u sekuestruan 23 kg kanabis, që u gjet në afërsi të vendit ku është mbytur veliera e djegur. Sipas burimeve, policia ka bllokuar 4 gomonet me drogë të cilat ishin nisur nga Laguna e Patokut, ndërsa ka gjetur edhe një velierë të djegur nga anëtarët e grupit kriminal me qëllim fshehjen e provave.

Veliera ishte me flamur ukrainas dhe është nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në detin Adriatik 18 milje nga laguna Patokut.

Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.

Të gjithë të arrestuarit janë ushtarë.

Përfshirë edhe Nerim Çelën, nipin e baronit të drogës, Gëzim Çela.

Askush nuk flet për kokën e grupit, i cili dyshohet se është një bos i njohur i trafikut ndërkombëtar i kokainës.

Bëhet fjalë për ish policin Gëzim Çelën, një kokë e hershme e trafikut të kokainës dhe përpunimit të saj.

Burime pranë organeve ligjzbatuese theksojnë se Gëzim Çela është koka e këtij grupi, i cili nuk u përmend nga policia.

I dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni, Gëzim Çela u zbulua në vitin 2014 se kishte kthyer vilën e tij në Fushë Kuqe në laborator kokaine.

Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare goditu grupin e Gëzim Çelës, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë.

Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Çelës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore.

I njohur si shefi i kokainës, i dënuar me 11 vite burg në Itali, Çela i shpëtoi arrestimit në 2014, për shkak të informatorëve që kishte në polici.

Edhe nga arratia, Çela arriti të përfitonte ulje dënimi dhe nuk bëri asnjë ditë burg.

Edhe pse në kërkim, Çela vijonte aktivitetin e qetë në zonën e Fushë Kuqes dhe Patokut.

Në dosjen e SPAK për grupin e Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, Behari dinte lëvizjet e Çelës dhe takimet e tij me Dorian Dulin, armikun e tyre.

Bajrat kishin lidhur aleancë me Vis Martinajn për të eliminuar kundërshtarët e njërit-tjetrin. Por, nga ana tjetër, Gëzim Çela kishte lidhje të afërta me Bilant Martinajn, kushëririn e parë të Ervis Martinajt, vrarë bashkë me dy miqtë e tij në korrik të vitit të kaluar.

Dosja Metarmofoza tregoi edhe një herë se krimi i organizuar nuk mund të mbijetojë pa blerë segmente të policisë, prokurorisë dhe gjykatave.