Detaje të reja janë zbuluar lidhur me plagosjen e rëndë të dy vëllezërve mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Mësohet se autori i plagosjes Gert Latifi ishte kthyer pak kohë më parë nga Italia, ku jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët.
Sherri mes të rinjve, sipas deklarimeve të tyre, kishte nisur për ngacmimin e një vajze, tre vite më parë.
Ai është vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi kishte plagosur me mjet prerë dy vëllezër. Sipas njoftimit, mësohet se i riu ishte larguar menjëherë nga vendngjarja.
Me marrjen e informacionit se ku ndodhej shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe pas disa orësh ndjekje intensive, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Lushnjë, në një hotel në Lushnjë, kanë lokalizuar shtetasin G. L., së bashku me një 17-vjeçar.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. L. iu gjetën dhe sekuestruan 1150 euro, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjeti prerës që dyshohet se ka përdorur për plagosjen e 2 vëllezërve.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për 17-vjeçarin, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente.
Dy vëllezërit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.