Nga Ambrozia Meta
Disa vite më parë, më ranë në dorë, procesverbale të një mbledhje që Edi Rama kishte mbajtur me qeverinë, në Pallat të Brigadave. Ishte një ditë e nxehtë, e korrikut të 2018-ës, kur Kryeministri i bënte gjyqin Mirela Kumbaros, sepse nuk diti të mbronte, ligjin e posaçëm “Fusha” që kishte si synim të jepte tokën e teatrit kombëtar. Ndërsa i hakërrehej Ministres së Kulturës, duke e akuzuar se dështoi me protestën e artistëve, Rama pranonte se ligji Fusha, ishte bërë nga ai dhe Ëngjëll Agaçi. Kuptohet, ideja kishte qënë e Ramës, ndërsa Sekretari i tij i Përgjithshëm (për të cilin thonë se di aq shumë, sa mund të rrëzojë dhe Vuçiç-in në Serbi) ishte kujdesur për ta hartuar juridikisht.
Është vetëm një nga shumë episodet që provojnë se asnjë projekt, asnjë kontratë, asnjë vendim qeverie, nuk kalon pa dijeninë e tij. Kryeministri jo vetëm që angazhohet personalisht për ligje apo vendimet që merr qeveria por ushtron kontroll të vazhdueshëm te vartësit e tij, të cilët jo pak herë kanë dalë nga shtëpitë e tyre, me të mbathura nëpër këmbë, kur Ramës i tekej të inspektonte procesin e rindërtimit në mesnatë.
Faktet dhe dokumentat e publikuara, tregojnë se skema e inceneratorëve është bërë me bekimin e Kryeministrit, i cili megjithëse bën rolin e naivit, vijon të mburret me inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe vazhdon të japë para për pronarët e tyre, që janë në kërkim. Angazhimi i gjithë qeverisë për të shkelur ligje e proceduara, nuk mund të kalonte pa u vënë re nga njeriu, që edhe dekoret për samitet dhe kongreset e partisë, i zgjedh vetë.
Por tendenca për të justifikuar Ahmetaj dhe për ta nxjerrë si viktimë është e mjerueshme, sepse si një nga zbatuesit e kësaj skeme, ai ështe po aq fajtor. Arben Ahmetaj nuk është detyruar për t’u angazhuar në këtë aferë; ai është paguar, ka marrë vila, makina për të dashurat, para dhe xhupa Moncler, brenda te cilëve zhytej dhe krekosej, me shkëlqimin në sy, të njerëzve që mendojnë se janë të paprekshëm.
Prandaj Rama sot ndihet i zhgënjyer dhe i lënduar. Ai nuk e fal dot, një bashkëpunëtor që nuk arrin dot të fshehë vjedhjet apo aferat që bëjnë. Prandaj sot u thotë ushtarëve: Sauve qui peut (Shpëtoni veten, kush mundet).