Ahmetaj vë në lëvizje deputetët e Berishës, kërkojnë debat në seancë për inceneratorët

Aktualitet

Publikuar: 14/07/2023

Ahmetaj vë në lëvizje deputetët e Berishës, kërkojnë debat në seancë për inceneratorët

Çështja e Arben Ahmetajt duket se ka ngjallur “nervin” opozitar brenda institucioneve shtetërore, duke rikthyer sërish debatet dhe përplasjet e forta brenda sallës së parlamentit.

Jo më tepër se një ditë më parë, deputeti demokrat Gazment Bardhi do të merrte duartrokitjet edhe nga grupi i “armiqve” brenda partisë së tij, pas fjalimit shpërthyes nga foltorja e Kuvendit.

Por dosja e SPAK-ut për ish-ministrin tashmë është në duart e politikanëve opozitarë, e mbushur plot me detaje të reja, fakte, deklarata e emra të rinj politikanësh socialistë, një material që as grupimi i “Rithemelimit” të Sali Berishës nuk ka se si të mos e përdorë politikisht.

Kështu, “Rithemelimi” duket se kërkon të rindezë motorët e largur, pas një rezultati jo fort të kënaqshëm në zgjedhjet vendore, dhe një koalicioni disi të dështuar me aleatët e Partisë së Lirisë.

Ndaj Berisha dhe deputetët e tij kanë kërkuar mocion me debat “urgjent” në seancën plenare të ditës së hënë. Në njoftimin e lëshuar për media “Rithemelimi” thotë se afera e inceneratorëve shtrihet në organet e qeverisë, ministritë e deri te “koka” e saj, Edi Rama.

“Koka e mbretit” kështu e quajtën edhe avokatët e Ahmetajt kryeministrin Edi Rama, në mesazhin e parë të koduar që i lanë në tavolinë deputetëve socialistë. Në të njëjtën linjë me Arben Ahmetajn duket se është edhe Sali Berisha, ai sot e cilësoi Ramën si truri i inceneratorëve.

Madje Berisha sot gjatë deklaratës për media bëri edhe një rrëfim të pazakontë. Ai tha se gjatë gjithë këtyre viteve kishte menduar gabim, e kishte menduar se truri i inceneratorëve kishte qenë Ahmetaj, por nuk i rezultoi kështu.

“Nuk ka hajdut më të specializuar se Arben Ahmetaj. Ka qene i vetëdijshëm për këtë që po ndodhte. Gjithnjë kam pasur dilemë në mendjen time, kam menduar se ishte Ahmetaj truri i djegësve”, deklaroi Berisha.

Berisha shkoi edhe më tej duke i dalë në mbrojtje Ahmetajt, tha se e kishte refuzuar tre herë kërkesën për inceneratorin e Tiranës. “…pra Ahmetaj nuk është. Truri është Rama-Agaçi”, tha ai.

Edhe letra e hapur e Arben Ahmetajt , është interpretuar nga shumë si një shantazh i drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës. Nga Anglia, ish ministri tashmë duket se e ka më të lirë të tregojë të vërtetat e tij, pa u shqetësuar edhe nëse këto të vërteta i shërbejnë kundërshtarëve (të dikurshëm) politikë për të goditut miqtë e tij (të dikurshëm) socialistë.