Rama: Në 3 korrik mbyllen sportelet fizike të Kadastrës, çdo veprim do bëhet përmes e-Albania

Aktualitet

Publikuar: 30/06/2023

Rama: Në 3 korrik mbyllen sportelet fizike të Kadastrës, çdo veprim do bëhet përmes e-Albania

Kryeministri i vendit Edi Rama ditën e sotme ka qenë i pranishëm në prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se edhe pse kanë pasur një kohë të gjatë në dispozicion, nuk kanë arritur që ta transformojnë Kadastrën në atë që ajo është në të vërtetë.

Sipas tij, Kadastra është bankë, dhe e krahason me Bankën e Shqipërisë apo Bankat e niveleve të dyta ku mbahen kursimet e shqiptarëve.

“Si çdo bankë, Kadastra nuk është një fole për qoka, për njerëz që nuk kanë lidhje me atë punë. Kadastra është penguar në radhë të parë nga ju, kur them nga ju nuk kam ndërmend secilin prej jush personalisht, por atë që ju përfaqëson, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. E vërteta tjetër është se e shkuara e tmerrshme me harta të konsumuar nga palosjet dhe shpalosjet me tituj pronësie të lëvizshëm sipas interesave dhe me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë që është karakteristika numër 1 e personave që futen në një mision jo për të bërë misionin, apo dhe e personave që edhe kur duan ta bëjnë punën janë injorantë, ka bërë që ne të trashëgojmë situatën më katastrofike në Evropë.”, tha Rama.

Rama lajmëroi gjithashtu se nga 3 korrik çdo shërbim në Kadastër do të merret vetëm online përmes e-Albania.

Rama tha se nuk kanë mundur ta transformojnë Kadastrën ndonëse kanë pasur shumë kohë. Kreu i qeverisë thekson se kanë bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar sistemin e marrjes së titullit të pronësisë, por ende nuk ka pasur rezultat.