Gjatë vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama kritikoi Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin Dritan Leli, për mungesën e pastrimit të qytetit.
Madje, krahas evidentimit të plehrave, Rama nisi të pastronte vetë me duart e tij plehrat në Vlorë.

Për pastrimin e Vlorës, vetëm gjatë 3 viteve të fundit, janë shpenzuar rreth 7 milionë euro, me anë të 4 tenderave dukshëm korruptivë, klientelistë, të paracaktuar dhe me kritere fiktive.

Paratë kanë shkuar për kompaninë Duka, me pronar Veis Duka dhe administrator Adhurim Duka, personazhe të cilët janë klientelë dhe lidhje interesash e ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Madje, Duka, njihet edhe si kompania e Shpëtim Gjikës.

Një tender me vlerë rreth 6 milionë euro është ‘fituar’ nga kompania Duka me flamur të kuq korrupsioni dhe me ofertë gati sa fondi limit, duke përjashtuar të gjithë konkurrentët e tjerë. Kontrata është lidhur në korrik të vitit 2020.
Pazari është bërë në hotelet, mejhanet dhe zyrat e Vlorës, duke u konkretizuar më pas në letra.
Tre tenderat e tjerë janë diktuar nga Dritan Leli për kompaninë Duka me procedurë me negocim, pra me pazar në tavilinë.
Kjo procedurë është korruptive pasi bashkia e Vlorës e di se kur mbaron kontrata e pastrimit të qytetit. Në këto kushte, bashkia duhet të merrte masat në kohë për të zhvilluar një garë normale për shërbimin e pastrimit.
Tenderi është lënë qëllimisht në momentin e fundit, për të justifikuar procedurën me negocim, me qëllim që fituese të shpallej kompania Duka. Dhe ashtu ka ndodhur.
Nga kjo procedurë është shkelur barazia në tendera dhe janë vjedhur para publike, pasi nga mungesa e konkurrencës, Veis Duka e ka marrë tenderin me ofertë gati sa fondi limit.
Ana tjetër e skandalin është se kompania Duka ka marrë paratë publike dhe nuk ka kryer shërbimin, konstatim i bërë edhe nga vetë Edi Rama.
Prapaskena mëson se kompania Duka ka disa mjete të amortizuara dhe të shekullit të kaluar.
Vitin e kaluar, vetë kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, paditi firmën e pastrimit Duka për cilësinë e munguar të shërbimit si dhe përfitim më anë të mashtrimit për sasinë e tonazhit të mbetjeve të administruar prej saj.
Kjo ishte thjeshtë një manovër e Lelit për të justifikuar veten nga frika e SPAK-ut, pasi vetë Leli i kishte dhënë tenderat korruptivë Adhurim Dukës, me sa duket duke ndarë paratë bashkë.
Fakti më i rëndë është se kompania nuk e ka fare në objektin e saj shërbimin e pastrimit. Ka në objek riciklim dhe diferencim të mbeturinave, por jo pastrim. Duka është një kompani ndërtimi.

Tenderat për pastrimin i ka marrë vetëm në Vlorë falë lidhjeve me Shpëtim Gjikën dhe më pas me Dritan Lelin. Pra, vetëm gjatë 3 viteve të fundit, ka marrë 7 milionë euro tendera për pasrimin, pa e pasur pastrimin objekt i veprimtarisë.
Por pyetjeve që duhet t’i japë përgjigje SPAK është:
Si ka mundësi dhe pse Bashkia e Vlorës duhet të blinte mjete pastrimi, kur për të kryer këtë shërbim kishte kontraktuar kompaninë Duka, duke i dhënë 7 milionë euro para publike nga korriku i vitit 2020 deri më sot?
Pse Bashkia e Vlorës nuk ndërpret kontratën me kompaninë Duka kur po e kryen me mjetet e saj pastrimin?
Pse Bashkia e Vlorës nuk ndërprer kontratën kur pretendon se Duka nuk kryen shërbimin, por po bëhet gati për t’i dhënë tenderin e radhës?